Cenohet sërish siguria detare në Vlorë, dënohet me gjobë drejtuesi i gomones që rrezikoi jetën e pushuesve

Cenohet sërish siguria detare në Vlorë, dënohet me gjobë drejtuesi i gomones që rrezikoi jetën e pushuesve

Një qytetar i cili lundronte me një gomone në Vlorë është ndëshkuar me një gjobë prej 100 mijë Lekësh të rinj. Policia e Vlorës sqaron se ky shtetas ka shkelur perimetrin e sigurisë ujore dhe ka rrezikuar jetën e pushuesve.

Po ashtu, blutë e Vlorës sqaron se kanë bllokuar dhe mjetin lundrues. Ngjarja mësohet se ka ndodhur në plazhin e Radhimës, ku kanë qenë qytetarët ata që kanë denoncuar rastin, pasi u është vënë në rrezik jeta e tyre.

Shërbimet e Policisë Kufitare, pas lokalizimit dhe bllokimit të mjetit lundrues që shfaqej në pamjet e publikuara, kanë ndëshkuar drejtuesin e këtij mjeti, shtetasin G. B., me masën administrative 100 000 lekë, për shkelje të nenit 24/1/c “Zhvillimi i aktiviteteve jashtë zonave të kufizuara”, të ligjit nr. 43/2020”, njofton policia.

Policia Kufitare apelon për të gjithë përdoruesit e mjeteve lundruese, që të respektojnë me rigorozitet perimetrin e sigurisë ujore për pushuesit, të zbatojnë rregullat për përdorimin e mjeteve lundruese dhe të respektojnë zonat e përcaktuara për lundrim me këto mjete.