Një ngjarje e rëndë është shënuar këtë të premte në një prej plazheve private në zonën e Lungomares. Një e vdekur dhe një në gjendje të rëndë është bilanci i ngjarjes që riktheu edhe njëherë debatin se sa të sigurta janë plazhet në vendin tonë.
Nënë e bij nga Ukraina që kishin ardhur me pushime në Vlorë, u mbytën pak minuta pas u futën për t’u larë në det. Turistët e shumtë u erdhën në ndihmë duke i nxjerr nga uji dhe i dërguan në spital, por nëna nuk mundi të mbijetonte dhe ndërroi jetë, ndërsa e bija vijon të jetë në gjendje të rëndë.
Në lidhje me këtë incident reagoi dhe shefi i Reanimacionit në spitalin e Vlorës, Edmond Breshanaj, i cili pohoi për mediat se turistja 44-vjeçare kishte shkuar pa shenja jete në spital.
“Të dyja nënë e bijë erdhën në spital rreth orës 12:00 në gjendje shumë të rëndë. Pacientja 44-vjeçare erdhi pa shenja jeta, bëmë çdo gjë por nuk arritëm ta rikthenim në jetë.
Vajza 18-vjeçare edhe ajo erdhi në gjendje kome, po pas ndërhyrjes filloi të reagonte. Tani gjendja e vajzës është e qëndrueshme, ka mundësi që të mbijetojë”, u shpreh mjeku.
Plazhi pa roje, ambulance vonohet
Ndihma e parë dy turisteve iu dha nga pushues të tjerë e jo nga roja bregdetare që duhet të ishte aty për t’u shpëtuar jetën. Mungesa e rojeve bregdetare është një problem i ngritur prej kohësh nga Gjurmon.al, por askush nga autoritetet nuk ka reaguar për ta zgjidhur këtë problematikë që për qytetarët është shumë shqetësuese.
Për plazhin e lënë pa roje bregdetare, mësohet se Policia e Vlorës bëjnë me dije se janë shoqëruar 6 persona, mes tyre edhe efektivë të Policisë Bashkiake, të cilët kishin për detyrë kontrollin dhe monitorimin e ambienteve të plazheve.
Por ky nuk është problemi i vetëm, pasi sipas rrëfimeve të qytetarëve që ndihmuan turistet, ambulanca erdhi të paktën gjysmë orë me vonesë për shkak të trafikut të rënduar në zonën e Lungomares.
Shkak për vonesën duket se është bërë trafiku i rënduar në vlorë dhe mungesa e një korsie të dedikuar për kalimin e ambulancës dhe mjeteve të tjera të emergjencave.

