Pakënaqësitë e Ramës për punën e bashkisë Vlorë, nisin dorëheqjet e drejtuesve lokal

Pakënaqësitë e Ramës për punën e bashkisë Vlorë, nisin dorëheqjet e drejtuesve lokal

Një ditë pas vizitës së Kryeministrit Edi Rama në Bashkinë Vlorë, ku kritikoi punën e të gjithë drejtuesve, kanë nisur lëvizjet e para në këtë institucion.

Kreu i qeverisë kërkoi largimin e të gjithë drejtuesve lokal, pasi sipas tij askush nuk justifikonte besimin për postin që kanë. Menjëherë pas këtyre kritikave mësohet se shumë drejtorë kanë paraqitur dorëheqjet te Ermal Dredha.

Tashmë bashkia dhe institucionet në varësi të saj janë pa drejtues në krye dhe paralelisht janë ngritur dy grupe pune për të reformuar bashkinë dhe për të analizuar situatën në qytet.

Grupi i parë, i përbërë nga Bledi Çuçi, Vullnet Sinaj dhe Pirro Vengu, do të ketë në fokus analizimin dhe vlerësimin e performancës së drejtuesve rajonalë. Nga ana tjetër një grup i përberë nga  Brisilda Çakerri, Zamira Sinaj dhe Evis Alushi, do të jenë përgjegjës për të përzgjedhur emrat e rinj për drejtuestë Bashkisë së Vlorës.

Mbledhja e një dite më parë e cila zgjati gati 90 minuta mësohet se është shoqëruar me tone të larta. Kreu i ekzekutivit ka lënë afat që deri më 15 korrik të përfundojë analiza për të gjithë drejtuesit, si dhe të jenë gati emrat konkretë për zëvendësimet, duke u bazuar edhe në propozimet që do të vijnë nga strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë.