Plazhi i Qeparoit pret e përcjell çdo vit mijëra turistë. I njohur për plazhet e tij edhe shkëmbor edhe ranor është shumë i preferuar për turizmin familjar.
Investimet në këtë plazh kanë qenë të pakta ndër vite, ku edhe këtë sezon duket se shumë pak ka ndryshuar nga një vit më parë.
Gjurmon.al shkoi në fshatin Qeparo fundjavën që lamë pas për të parë nga afër situatën, a ishin ndarë plazhet sipas rregullores së re mes publikut dhe privatit? A kishte roje bregdetare? Dhe më e rëndësishmja, a pastrohet ky plazh? Përmes fotove po ju sjellim atë që pamë në këtë plazh.

Rregullorja e re për ndarjen e plazheve duket se funksionon në këtë zonë të Bashkisë Himarë, pasi në të gjithë vijën bregdetare kushdo mund të shkonte me çadër me vete e mund të bënte plazh pa problem. Nga vëzhgimi ynë rezulton se hapësirat për plazhe publike ishin të mjaftueshme.

Por siguria në këto plazhe duket se është zero. Në asnjë pjesë të plazhit nuk vërejtëm kulla vrojtimi, që janë detyrim për të gjitha stacionet e plazhit. Ky problem vërehet jo vetëm në Qeparo, por në shumë zona të Jugut.

Problemi më madhor në këtë plazh janë mbetjet. Kazanët e plehrave i gjeje të tej mbushura dhe të pa pastruara. Jo vetëm rreth kazanëve, mbetje gjeje kudo edhe në afërsi të detit, që për turistët ky ishte shqetësimi i tyre kryesor.


