VIDEO – Borshi do të vuajë edhe këtë vit për rrugë… premtimi mbetet në sirtar

VIDEO – Borshi do të vuajë edhe këtë vit për rrugë… premtimi mbetet në sirtar

Shëtitorja e Borshit do të bëhet”, kështu ka premtuar kryeministri Edi Rama. Rruga e fshatit Borsh që ecën paralel me bregun e detit pavarësisht premtimeve të shumta është ende në gjendje të mjerueshme.

Rruga e cila pret e përcjell mijëra e mijëra turistë gjatë gjithë sezonit turistikë, por edhe në muajt e tjerë të vitit, sërish edhe këtë sezon do të jetë mes pluhurit dhe baltës.

Vetëm pak kilometra është ky segment që lidh të gjitha bizneset e zonës me fshatin dhe me rrugën nacionale, por ende nuk është parashikuar një projekt për rehabilitimin e saj.

Përfaqësues të biznesit në këtë zonë i thanë Gjurmon.al se javët e fundit “kanë dëgjuar se do të shtrohet me asfalt”, por shtojnë se nuk kanë parë asnjë gjurmë të punimeve.

Na është thënë jo zyrtarisht se do shtohet me asfalt të paktën për këtë vit, pastaj do kryhen investime të plota, por deri më tani nuk kemi parë asnjë punëtor”, tha një banor i zonës, duke shtuar se nuk është optimistë se fjalët që po qarkullojnë në fshat mund të jenë të vërteta.

Pamjet flasin qartë se askush ende nuk është kujtuar për këtë rrugë, ku pluhuri mbulon gjithçka sa herë që kalojnë mjete, qoftë vetura e mjete të tonazhit të rëndë.

Fshati Borsh që vitet e fundit po njeh investime të rëndësishme private, ku hotele të shumta po ngrihen për të pritur turistët do të vuajë edhe këtë vit për një rrugë.