Fusha e mbetjeve në Vlorë përfshihet sërish nga flakët, bashki premton zgjidhje të problemit por teja e tymit mbuloi qytetin

Fusha e mbetjeve në Vlorë përfshihet sërish nga flakët, bashki premton zgjidhje të problemit por teja e tymit mbuloi qytetin

Fusha e mbetjeve në Vlorë vijon të shkaktojë probleme për qytetin. Këtë shtunë teksa plazhet dhe hotelet e Vlorës ishin të mbushur, pasi sezoni ka nisur normalisht, të gjithë janë përballur me një re të zezë tymi.

Një zjarr masiv ka përfshirë fushën mble mbetje në lagjen “24 Maji” në Vlorë, ku këtë herë vatra ka qenë masive sa reja e zezë e tymit mbuloi një pjesë të madhe të qytetit.

Pamjet tregojnë qartë situatën katastrofike në të cilën ndodhet Vlora këtë fundjavë të parë të muajit Qershor.

Lidhur me situatën ka reaguar dhe kreu i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha, i cili në një postim në mediat sociale shkruan se zjarrvënia është e qëllimshme dhe është bërë kallëzim penal për të gjitha autoritetet që duhet të monitorojnë territorin e fushën e mbetjeve.

Si pasojë e një rrethane të përsëritur dhe të patolerueshme të zjarrëvënies së qëllimshme apo papërgjegjshmërisë njerëzore, në fushën e mbetjeve, bashkia në bashkëpunim me Policinë e Shtetit ka bërë kallëzim penal për të gjitha hallkat që duhet të monitorojnë dhe kujdesen që ngjarje të tilla të mos ndodhin më, përfshi edhe institucionet që varen nga bashkia.

Organet ligjzbatuese janë vënë në veprim për të dënuar cilindo që përpiqet të dëmtojë imazhin e qytetit në nisjen e sezonit turistik. Sidoqoftë, janë marrë masat e menjëhershme për shuarjen e zjarrit dhe mospërsëritjen e kësaj ngjarje të shëmtuar!”, shkruan kreu i bashkisë.

As landfilli nuk po e zgjidh problemin

Pak javë më parë Bashkia Vlorë mori në dorëzim landfillin e Sherishtës ku u tha se tashmë mbetjet do të depozitoheshin vetëm aty.

E teksa kanë kaluar gati dy muaj që nga nisja zyrtare e mbledhjes së mbetjeve në Sherishtë, situata në fushën e mbetjeve në Vlorë nuk është përmirësuar.

Mbetjet kanë pushtuar gjithë zonën rreth fushës së mbetjeve dhe janë kthyer në një shqetësim për banorët e zonës.

Problemi që vijon e përsëritet

Flakët që përfshinë këtë të shtunë fushën e mbetjeve në Vlorë, nuk janë të parat.  Prej vitit të shkuar e deri më tani numërohen dhjetëra raste kur fusha e mbetjeve është përfshirë nga flakët.

Gjithmonë është pohuar se “kjo do jetë hera e fundit” dhe zjarri ka vijuar të djeg plehra e të mbulojë qytetin me re të zezë tymi.

Prej kohësh është kërkuar zgjidhje nga banorët e zonës rreth fushës së mbetjeve së pari, e më tej nga i gjithë qyteti, por duket se zgjidhja ende nuk po vjen. Mbetjet vijojnë të jenë aty dhe zjarri vijon t’i djegë.