Nëse bën një kërkim në mediat sociale të Bashkisë Himarë, mund të gjesh me lehtësi postime promovuese për vendet turistike të kësaj zone.
Nga plazhet përrallorë të Palasës e Dhërmiut, gjiret që fshihen mes shkëmbinjve në detin Jon e kishat shekullore, janë disa prej pamjeve piktoreske që promovohen nga Bashkia Himarë.
Por realiteti në terren nuk është që tregohet në mediat sociale. Gjurmon.al udhëtoi drejt Himarës fundjavën që lamë pas, për të parë nga afër investimet që po kryhen në qytetin e Himarës.
Që në hyrje të qytetit e deri në qendër, por edhe në rrugicat e qytetit, lëvizja me makinë, por edhe në këmbë duhej të ishte më shumë kujdes.
Çdo segment ishte i dëmtuar për shkak të punimeve për ujësjellësin, por banorët vendas e komuniteti i biznesit shprehen pesimistë se rrugët do të jenë optimale për sezonin turistikë.
Banorët pohojnë për Gjurmon.al se punimet kanë nisur që në vjeshtë dhe ritmet e avashta i bëjnë pesimistë se në verë nuk do jetë asgjë gati. “Kemi frikë se na dëmtohen bizneset, duket situata edhe tani turistë ka por ankohen për rrugën”, pohoi një banor i cili ka dhe një dyqan të vogël pranë shëtirores së Himarës.
Nga ana tjetër bashkia ka premtuar se gjithçka do të jetë gati në nisje të sezonit turistikë dhe se këtë vit do të një shtim të vizitorëve në plazhet e Jonit.