Zogjtë e ngordhur në plazhin e Vlorës, analizat konfirmojnë prezencën e virusit H5N1

Zogjtë e ngordhur në plazhin e Vlorës, analizat konfirmojnë prezencën e virusit H5N1

Pak ditë më parë në plazhin e Vlorës janë konstatuar dhjetëra shpendë të ngordhur në disa zona në këtë bregdet. Kjo situatë alarmoi banorët dhe autoritetet, ndaj Shërbimi Veterinar ngriti disa grupe pune dhe mblodhi mostra për të bërë analizat, se përse kishin ngordhur shpendët.

Pas analizave të kryera është konfirmuar tashmë dhe zyrtarisht se në Vlorë kemi rastin e parë të konfirmuar me gripin e shpendëve H5N1.

Demir Dervishaj mjek veterinar dhe zyrtar kontrolli në agjencinë e veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve konfirmon se nga tre zogjtë që janë gjetur të ngordhur në Plazhin e Vjetër ka rezultuar një prej tyre pozitiv me virusin H5N1.

Sipas mjekut veterinar ka rrezik për përhapjen e këtij gripi edhe tek shpendët e oborrit çka mund ta thellojë edhe më tej këtë epidemi. Ai konfirmon se agjencia e veterinarisë dhe mbrojtjes së bimëve është në alarm dhe ka bërë njoftim tek çdo fermerë për të patur kujdes dhe për të denoncuar çdo rast të konstatuar të shpendëve të ngordhur

Besohet se ka ende shumë shpend të tjerë të egër kryesisht ujor të cilët të jenë të ngordhur nga ky virus.