Lugina e Vjosës është një hap më pranë ruajtjes, pasi mund të jetë shumë shpejt pjesë e UNESCO-s. Komiteti Ndërkombëtar i Këshillit për Rezervat e Biosferës ka aprovuar dosjen e aplikimit, duke vlerësuar se lugina e Vjosës dhe degët e saj duhen ruajtur.
Konfirmimi final nga UNESCO të jepet në Sesionin e 37-të të MAB, i cili më do të mbahet në muajin shtator 2025, lajmi është konfirmuar dhe nga Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro.
“Në shtator të këtij viti pritet miratimi përfundimtar nga Këshilli i Rezervateve të Biosferës të UNESCO-s në shtator të këtij viti për përfshirjen e Vjosës në listën e pasurive botërore si një himn për natyrën dhe për njerëzit”, u shpreh Kumbaro.
Departamenti i Shkencave Ekologjike dhe Shkencave të Tokës pranë Programit “Njeriu dhe Biosfera”, njoftoi Komisionin Kombëtar Shqiptar për UNESCO-n, Ministrinë e Turizmit dhe Mjedisit (MTM) dhe Agjencinë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura (AKZM) mbi rezultatet e arsyetimit dhe shqyrtimit të hollësishëm të dosjes së nominimit nga Komiteti Ndërkombëtar i Këshillit për Rezervat e Biosferës në datat 17 – 21 shkurt 2025 në takimin e 31-të të tij. Pas këtij takimi, Komiteti Këshillues rekomandoi që Lugina e Vjosës të aprovohet si Rajon Biosfere.
Por teksa Vjosa po kërkohet me ngulm të ruhet nga ndërkombëtarët, në terren situata nuk duket se është premtuese. Ndotja nuk po ndalet, siç edhe është raportuar pak javë më parë nga Gjurmon.al, ku shihej qartë situata se ujërat e zeza derdheshin në lum.
Ngjashëm është edhe situata në lumin Shushica, ku ujërat e zeza derdhen në lum, ndaj situata kërkon ndërhyrje të menjëhershme.

