“U dhunuan dhe u fyen“, Shoqata e Gazetarëve të Vlorës: Incidenti ndodhi gjatë raportimit të protestës

“U dhunuan dhe u fyen“, Shoqata e Gazetarëve të Vlorës: Incidenti ndodhi gjatë raportimit të protestës

Shoqata e Gazetarëve të Vlorës me anë të një reagimi kanë dënuar incidentin e ndodhur gjatë raportimit për protestën e punonjësve të Ndërmarrjes së Pastrimit në Vlorë. Në një reagim për mediat, Shoqata e Gazetarëve pohon se gazetarët janë dhunuar dhe fyer gjatë punës së tyre.

“Sot, një shtetas, punonjës i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, ka dhunuar fizikisht kolegun Gentian Këllçiu, ka fyer e kërcënuar edhe gazetarët e tjerë prezentë”, citohet në reagim.

DEKLARATA E PLOTË

Shoqata e Gazetarëve të Vlorës reagon sot duke dënuar fort çdo veprim që kërkon të pengojë punën e medias në qytet. Marrë shkas nga një situatë e paprecedentë e ndodhur ditën e sotme, ku gjatë procesit të punës, teksa gjendeshin duke raportuar mbi protestën e punonjësve të Ndërmarrjes së Pastrimit, disa prej gazetarëve të qytetit të Vlorës janë dhunuar, fyer, kërcënuar dhe intimiduar për shkak të detyrës.

Sot, një shtetas, punonjës i Ndërmarrjes së Shërbimeve Publike, ka dhunuar fizikisht kolegun Gentian Këllçiu, ka fyer e kërcënuar edhe gazetarët e tjerë prezentë. Mbi këtë ngjarje, që është veçse një tentativë e pasuksesshme për të mbyllur gojën, dënojmë jo vetëm individin që kryen aktin e dhunimit, por edhe reagimin e cunguar institucional.

Pavarësisht dëshirës së shprehur, nëpërmjet akteve të dhunës, për të ndaluar trajtimin dhe transmetimin e çështjeve të caktuara, ajo që mbetet e patjetërsueshme është se :për gazetarin prevalon interesi i qytetarëve, mbi të gjitha shtresave që kanë nevojë për zërin e medias.

Gazetarët kanë për detyrë të raportojnë mbi ngjarjet e qytetit dhe, për cilindo që kërkon të pengojë këtë mision, mund t’u themi me bindje: Nuk do të keni sukses!