Shijoni edhe pak ditë tunelin e Llogarasë pa pagesë, nga 15 Shtatori do paguhet 5 Euro për çdo kalim

Shijoni edhe pak ditë tunelin e Llogarasë pa pagesë, nga 15 Shtatori do paguhet 5 Euro për çdo kalim

Tuneli i Llogarasë i cili u hap për herë të parë verën e kaluar do të kushtojë për çdo kalim në të 5 Euro. Nga 15 Shtatori tuneli nuk do të aksesohet pa pagesë, por me tarifë siç ishte parashikuar në nisje të punimeve.

Vepra infrastrukturore, me gjatësi 5.9 kilometra, ka reduktuar ndjeshëm kohën e udhëtimit nga Dukati drejt Palasës, që tashmë përshkohet për vetëm 7 minuta, nga 45 që kërkoheshin më parë përmes Qafës së Llogarasë.

Tuneli është ndërtuar me dy kalime, një kryesor dhe një emergjence, ndërsa sipas parashikimeve zyrtare, në rast të rritjes së fluksit turistik, të dy do të vihen në shërbim të qarkullimit, por ende funksionon me vetëm një prej kalimeve.

Menaxhimi i pagesave do të kryhet nga Enti Kombëtar i Operimit Rrugor, një shoqëri aksionere me kapital shtetëror që përfaqësohet nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, e cila do të ketë përgjegjësinë për operimin dhe mirëmbajtjen e portave automatike, administrimin e sistemit të tarifimit, si dhe shpërndarjen e biletave dhe aboneve mujore për përdoruesit.

Tuneli i Llogarasë u hap për herë të parë vitin e shkuar në muaji qershor dhe qëndroi i aksesueshëm për turistët deri në 15 shtator, më pas u mbyll sërish ku vijuan punimet në te. Këtë vit situata duket ndryshe, pasi tuneli do të qëndrojë i hapur edhe gjatë dimrit por me pagesë.