Bashkia e Sarandës ka vendosur masa të reja kufizuese për aktivitetet e ndërtimit dhe furnizimin e subjekteve gjatë sezonit turistik, me qëllim mbrojtjen e rendit publik dhe qetësisë së pushuesve.
Sipas urdhrit të nxjerrë, ndalohet plotësisht puna me mjete të rënda ndërtimi, si fadroma, betoniera apo çekiçë, nga data 15 qershor deri më 30 shtator. Ndërkohë, gjatë muajve jashtë sezonit (nga 1 tetori deri më 31 maj), përdorimi i mjeteve të rënda do të lejohet vetëm në orare të caktuara: 08:00-14:00 dhe 17:00-20:00.
Për të shmangur trafikun dhe shqetësimet në orët e pikut, janë vendosur gjithashtu kufizime për oraret e furnizimit të bizneseve. Automjetet me kapacitet mbi 3.5 ton do të lejohen të furnizojnë subjektet nga ora 00:00 deri në 09:00 të mëngjesit, ndërsa mjetet deri në 3.5 ton mund të kryejnë furnizime në dy fashat kohore: 00:00-09:00 dhe 13:00-17:00.
Orari i ofrimit të shërbimeve për njësitë e ndryshme, përfshi dhe njësitë e ndihmës ndaj qytetarëve, do të jetë nga ora 08:00 deri në 14:00 dhe 17:00 deri në 21:00 gjatë sezonit veror.
Megjithatë, urdhri parashikon edhe disa përjashtime që mund të autorizohen nga Drejtoria e Shërbimeve Publike, përfshi këtu furnizimin me produkte të ngrira, realizimin e punimeve publike në investime të Bashkisë dhe lëvizjen e mjeteve për emergjenca.
Për zbatimin e masave do të kujdeset Policia Bashkiake në bashkëpunim me Inspektoratin Vendor të Mbrojtjes së Territorit, të cilët do të kryejnë kontrolle të vazhdueshme në terren dhe do të ndërhyjnë për ndalimin e aktiviteteve që bien ndesh me urdhrin në fuqi.

