Reportazh nga Karbunari: Fshati i harruar mes kujtimeve të së shkuarës

Reportazh nga Karbunari: Fshati i harruar mes kujtimeve të së shkuarës
Qendra e fshatit Karbunar

Në zemër të qarkut të Vlorës, në Bashkinë Selenicë, ndodhet fshati Karbunarë, një vend që dikur gumëzhinte nga jeta e përditshme, por sot mban mbi vete peshën e një heshtjeje dëshpëruese. Nga qindra familje që dikur popullojnë këtë fshat, sot kanë mbetur vetëm 80, kryesisht të moshuar, ndërsa rinia ka ikur drejt qyteteve si Vlora apo vendeve të huaja si Italia, Gjermania dhe Anglia, në kërkim të një jete më të mirë.

Me reformën e qeverisjes vendore të vitit 2015 Karbunari u bë pjesë e Bashkisë Selenicë. Në hyrje të fshatit, rruga që më në fund duket se po shtrohet pas shumë vitesh premtime, është një kujtesë ironike se infrastruktura vjen gjithmonë në prag të fushatave zgjedhore.

Qendra e fshatit Karbunar

Ndërsa ecën nëpër rrugët e fshatit, ke një ndjesi sikur je i humbur në kohë. Dy dyqane të vogla janë e vetmja shenjë e jetës ekonomike. Një prej tyre ndodhet në një ndërtesë të mbuluar me pluhur kohe, ku ende lexohet mbishkrimi “Rroftë PPSH”. Ky detaj është një kujtesë e gjallë e së kaluarës komuniste të vendit, një epokë që duket se nuk e ka lëshuar ende këtë vend.

Në qendër të fshatit ngrihet një lapidar me një yll të madh komunist. Ai qëndron i paprekur, si një relike e kohës së diktaturës.

Shkolla e fshatit Karbunar

Në Karbunarë, përditshmëria është e thjeshtë, e përqendruar te kujdesi për bagëtinë, punimi i tokës dhe bisedat e gjata në oborret e shtëpive të vjetra. Banorët e mbetur, kryesisht të moshuar, tregojnë se si dikur fshati ishte një komunitet i gjallë. Përvec shkollës, Karbunara dikur kishte nje kinema. E cila sigurisht sot është e rrënuar sikurse pothuajse cdo gjë tjetër.

Fëmijët dhe të rinjtë që dikur ishin zemra e këtij vendi, tani janë larguar, duke lënë pas shtëpi të braktisura dhe një boshllëk të thellë tek prindërit e tyre.

Megjithatë, banorët mbajnë shpresën se rruga e re mund të sjellë një farë përmirësimi, qoftë për ata që kanë mbetur, qoftë për tërheqjen e vizitorëve. Por, për shumë prej tyre, premtimet e fushatave zgjedhore janë thjesht përsëritje të një skenari të njohur. Karbunara mbetet një kujtesë e gjallë e një Shqipërie të ndarë mes të kaluarës dhe të ardhmes.