Rama: Plazhet e Ksamilit janë të dhunuara, vitin tjetër nën administrimin e bashkisë

Rama: Plazhet e Ksamilit janë të dhunuara, vitin tjetër nën administrimin e bashkisë

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar ashpër menaxhimin e plazheve në Shqipëri, duke e konsideruar plazhin e Ksamilit si shembull të dhunimit të hapësirave bregdetare.

Në një deklaratë të fundit, Rama theksoi: “Plazhet janë të dhunuara sipas meje. Kjo është fjala e duhur për plazhin e Ksamilit. Plazh i dhunuar. Kjo është fjala e duhur për një sërë plazhesh tjera, por po marr Ksamilin sepse është dhe një nga plazhet më të bukur të botës, dhe nuk mund të jetë më pre e injorantëve që e shikojnë si një tokë për ta pushtuar.”

Kryeministri shtoi më tej se mënyra e trajtimit të turistëve është e papranueshme: “Dhe pastaj për tu sjellë me turistët dhe vizitorët si të ishin skllevër, që mund të hanë edhe shkopin e cadrës në kokë, apo për të vendosur çmime për të qëndruar në një dendësi të paimagjinueshme që janë çmime që vetëm lëndojnë imazhin e turizmit shqiptar.”

Rama theksoi nevojën për të rikthyer plazhet tek publiku dhe për të parandaluar abuzimet e mëtejshme nga privatët: “Dhe nga ana tjetër, në tërësi, ne duhet të shërojmë plazhet e dhunuara, tua heqim nga dora privatëve, nuk ka më arsye plazhi publik i Ksamilit të jetë plazh privat.”

Deklarata e kryeministrit ka hapur debat mbi menaxhimin e bregdetit shqiptar, ndërsa qytetarë dhe organizata të ndryshme po kërkojnë që plazhet publike të jenë të aksesueshme dhe të menaxhohen në përputhje me interesin publik dhe standardet e turizmit ndërkombëtar.