Pse po braktisen plazhet e jugut të Shqipërisë?

Pse po braktisen plazhet e jugut të Shqipërisë?

Nga Vlora e deri në Sarandë, në çdo plazh shikon më pak turistë se një apo dy vite më parë.  Teksa të gjithë bizneset prisnin një ‘boom’ me turistë këtë vit, të gjithë shprehen të zhgënjyer.

Foto dhe video nga plazhet bosh gjen të postuara kudo në rrjetet sociale, ku shihet qartë se sezoni turistik nuk është ai i premtuari.

Por ndryshe e pasqyrojnë realitetin autoritetet qendrore dhe vendore, teksa me shifrat e INSTAT flasin për rritje të numrit të vizitorëve në vend.

Një realitet dy pasqyrime diametralisht të kundërta, por teksa kemi hyrë në muajin gusht bizneset vijojnë ankohen me shprehjen e zakonshme: “ka rënë puna këtë vit”.

Por pse turistët nuk po e pëlqejnë aq shumë jugun e vendit? Nëse u referohemi deklaratave të tyre në media dhe përshtypjeve që lënë në platformat e ndryshme të akomodimit emëruesi i përbashkët është rritja e çmimeve dhe mungesa e shërbimeve.

Ankohen për mungesën e parkimit, çmimi i lartë i shezlongëve (që pavarësisht se janë shtuar plazhet publike, sërish abuzohet me çmimet), ankohen për shërbimin hotelier dhe në restorante, por ende vijojnë të thonë se “Shqipëria është i bukur”.

Sezoni turistik po shkon drejt fundit edhe këtë vit (nëse nuk mbyllet si zakonisht në Shtator si vitet e shkuara), por Qeveria ka publikuar Strategjinë Kombëtare të Turizmit 2030, duke treguar prioritetet se si do të veprohet për turizëm afatgjatë.

Strategjia e Turizmit 2030 mbështetet në gjashtë shtylla kryesore: Investimet, Politika fiskale dhe rregullatore në turizëm, Menaxhimi i destinacioneve, Zhvillimi i produktit turistik, Marketingu i destinacioneve dhe Ngritja e kapaciteteve mbështetur në tre parimet bazë që janë aspekti social, mjedisor dhe ekonomik, ndërsa dokumenti ka kaluar edhe fazën e konsultimit publik me grupet e interesit.

Strategjia Kombëtare e Turizmit 2024-2030 projekton gjithashtu krijimin, përmirësimin dhe konsolidimin e produkteve turistike duke e ndarë vendin në 6 rajone turistike: Rajoni turistik i bregdetit të Adriatikut, rajoni turistik verior i brendshëm, rajoni turistik i Tiranës, rajoni qendror, rajoni turistik i bregdetit të Jonit si dhe rajoni turistik jugor i brendshëm.

Po sa efikase do të jetë kjo strategji dhe a është zgjidhja për të thithur sa më shumë të huaj e të vizitojnë Shqipërinë? Dhe a i jep kjo strategji përgjigje pyetjes: Pse po braktisen plazhet e jugut?