Projektbuxheti i vitit 2026, bashkia kërkon të shpenzojë 8.5 milionë Euro për pastrim dhe gjelbërim

Projektbuxheti i vitit 2026, bashkia kërkon të shpenzojë 8.5 milionë Euro për pastrim dhe gjelbërim

Bashkia Vlorë në datën 23 Dhjetor pritet të miratojë buxhetin për vitin 2026. Pavarësisht se buxheti do të miratohet të martën e javës së ardhshme, bashkia nuk ka bërë publik këtë buxhet.

Si në faqen zyrtare por edhe në mediat sociale, bashkia nuk ka ngarkuar projektbuxhetin, por vetëm video propagandistike për punët e përdtishme të ndërmarrjeve të ndryshme të bashkisë.

Edhe pse buxheti nuk është bërë publik, Gjurmon.al nëpërmjet burimeve të tjera ka arritur që të sigurojë disa të dhëna lidhur me shpenzimet e pritshme për vitin e ardhshëm.

Sipas projektbuxhetit për vitin 2026 parashikohet që 8.5 milionë Euro të shpenzohen vetëm për pastrim dhe gjelbërim në qytet.

Sipas të dhënave të projektbuxhetit, 4.1 milionë Euro do të shkojnë për paga, 2.9 për shpenzime operative dhe 1.5 milionë për investime të ndryshme gjatë vitit.

Por shpenzimi i parave publike nuk ndalet këtu, pasi bashkia parashikon që gjatë vitit 2026 të harxhojë 3.2 milionë Euro për asfaltimin e rrugëve të brendshme, ku nëse i referohemi listës në dokument bëhet fjalë për segmentet që janë dëmtuar nga punimet për ujësjellësin e ri.

Thënë më thjesht, asfaltimi është bërë me buxhetin e bashkisë, ujësjellësi i ka dëmtuar për shkak të punimeve, qytetarët prej muajsh po vuajnë në rrugët e dëmtuara dhe tashmë me paratë e tyre do të bëhen punimet për të rregulluar rrugët.

Por ajo që bie në sy në dokuemtin e projekbuxhetit është shifra shumë e ulët për shtresat në nevojë, ku sipas përllogaritjeve vetëm 0.5% e buxhetit është parashikuar për ndihmën ekonomike.