Aksioni i iniciuar dhe i zbatuar nga Bashkia Vlorë për lirimin e hapësirave publike duket se nuk është pritur mirë nga biznesi. Pronarët e lokaleve në Lungomare kanë dalë pasditen e së martës në një protestë, duke kundërshtuar urdhrin e Kryeministrit për të hequr tendat dhe karriget nga trotuaret.
Ata janë kundër ndërhyrjes në kulmin e sezonit turistik, pasi sipas tyre, kjo mund të ndikojë në largimin e turistëve. Sipas tyre kjo vendimmarje në këtë pikë të sezonit është “shkatërruese” dhe dëmton jo vetëm ata por të gjithë turizmin.
“Është një goditje ekonomike e rëndë. Situata nuk është krijuar brenda natës, kryeministri ka qenë shpesh këtu, ka ngrënë, ka pirë. Kjo ndërhyrje mund dhe duhej të ishte bërë përpara ose pas sezonit veror. Tani është vonë. Ky është një dëm i drejtpërdrejtë për turizmin dhe për ne si sipërmarrës”, pohoi një prej sipërmmarrëse.
Bizneset njëzëri kanë pohuar janë të gjithë bashkë dhe ndërhyrjet duhet të bëhen në përfundim të sezonit, që të mos cenohet aktiviteti turistik dhe ekonomia vendase. Teksa përfaqësuesit e biznesit ishin në protestë, në Lungomare shkoi edhe kryetari i Bashkisë Vlorë, Ermal Dredha.
Sipas tij me bizneset është rënë dakord që të tërheqin një pjesë të tendave dhe nga 1 shtatori të largohen nga vet bizneset të gjitha shtesat.
“Nuk është protestë është një bashkëbisedim që të gjejmë një zgjidhje të përbashkët sa të mbarojë sezoni veror. Janë marrë disa masa që të hiqen fasdat, pemët dhe vazot me lule dhe për t’iu rikthyer projektit si ka qenë në zanafillën e vet. Vit pas viti edhe është abuzuar pak duke shkaktuar një dëm tek komuniteti. Rrugët kryesore duhet që të jenë të liruara dhe njerëzit të kalojnë lirshëm, për tendat anësore në lokale, ne do ti tolerojmë deri në fund të gushtit dhe nga 1 shtatori kanë rënë dakord që ti çmontojnë vet”, pohoi Dredha.

