Në nisje të sezonit turistik shfaqen sërish fadromat në plazh, IKMT: Do shemben godina pa leje

Në nisje të sezonit turistik shfaqen sërish fadromat në plazh, IKMT: Do shemben godina pa leje
Screenshot

Fadromat e IKMT edhe këtë nisje sezoni nuk kanë munguar në bregdet. Këtë të mërkurë në plazhin e Ksamilit kanë zbarkuar fadromat e Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit dhe kanë nisur shembjen e disa godinave.

“Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit, në bashkëpunim me IMT-në vendore dhe mbështetjen e Policisë së Shtetit po ndërhyn në Bashkinë e Sarandës me synim goditjen e paligjshmërisë dhe mbrojtjen e hapësirave publike.

Ditën e sotme ka filluar prishja e objekteve pa leje në njësinë administrative të Ksamilit ndërsa do të vazhdojë edhe ditën e nesërme në qytetin e Sarandës. Në total, parashikohet prishja e 10 objekteve mes të cilave struktura beton/arme, metalike ose druri.

Objektet janë ndërtuar pa dokumentacionin përkatës dhe në shkelje të ligjit. Për të gjitha rastet, IKMT ka ndjekur rrugën ligjore dhe masat përkatëse administrative”, sqarohet në një njoftim nga IKMT.

Ndërkohë mësohet se aksioni pritet të vijojë edhe gjatë ditës së nesërme në qytetin e Sarandës.

Këto ndërtime janë konstatuar pa dokumentacionin përkatës dhe në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Ajo që bie në sy edhe këtë vit është se nisja e shembjeve bëhet në një kohë kur sapo nis sezoni turistik.