Një ndotje e rëndë me naftë po degradon lumin Vjosë pranë fshatit Gorishtë, në bashkinë e Selenicës, përmes një përroji që vijon prej kohësh.
Raportimet e fundit zbulojnë llumin e naftës që del nga puset e Albpetrol-it në Gorishtë dhe shkon përmes përfundon në Vjosë – Park Kombëtar – duke shkaktuar aromë të rëndë, ujë të ndotur, tharje të bimësisë dhe vdekje të gjallesave ujore.
Fotot e siguruara nga Gjurmon.al në muajin shkurt 2025 dokumentojnë në mënyrë të qartë burimin dhe rrjedhën e ndotjes me mbetje nafte në zonën e Gorishtit, Bashkia Selenicë. Në imazhin e parë shfaqet panorama e përgjithshme e Stacionit të Naftës Gorisht, ku duken qartë depozitat dhe strukturat e amortizuara industriale, të vendosura mbi një terren kodrinor, nga ku nis edhe përroi që më pas transporton ndotjen në drejtim të lumit Vjosë.

Fotot e tjera tregojnë se si përroi që del nga afër impiantit është mbushur me mbetje të zeza, me shtresime të dukshme llumi dhe gjurmë të ndotjes me naftë përgjatë gjithë brigjeve të tij. Në disa pjesë të kanalit, siç dokumenton fotografia më poshtë, uji është i errët dhe i përzier me mbetje hidrokarbure.

Një tjetër pamje tregon përroin duke u shtrirë përmes luginës, ku rrjedha ndotëse është e dukshme edhe në distancë – një shenjë se ndotja është përhapur thellësisht në mjedisin përreth.

Gjurmon.al i ka fiksuar këto prova në fillim të pranverës, por situata në verë është përkeqësuar ndjeshëm për shkak të temperaturave të larta dhe mungesës së reshjeve. Kjo ka bërë që ndotja të përqendrohet më shumë, era e rëndë e gazit të përhapet në zonë dhe ndikimi mbi bimësinë dhe faunën e përroit dhe përreth tij të jetë edhe më i madh.

Akuzat janë drejt Albpetrol-it. Në një reagim, kompania pretendon se rrjedhja e naftës vjen nga depozitime të 60 viteve të shkuara dhe se nuk ka aktivitete të reja ndotëse. Sipas Albpetrol, llumi “aktivizohet” nga temperatura e lartë, dhe se ata kanë nisur rehabilitimin e zonës.
Megjithatë, policia e Vlorës ka nisur një hetim penal për personelin e sektorit të dekantimit në Gorishtë duke e akuzuar për derdhje mbetjesh.
Organizata e mjedisit EcoAlbania dhe raportet ndërkombëtare (përfshi RiverWatch e Blue Heart River) denoncojnë se shtresa nafte, e trashë deri në 10 cm, ka dëmtuar florën, faunën, përfshirë amfibë, gjarpërinj dhe peshq. Situata përbën një kërcënim serioz për “lumin e fundit të egër të Evropës” – të shpallur Park Kombëtar që nga marsi 2023.

Harta satelitore nga Google Earth tregon qartë rrjedhën e ndotjes me naftë që nis nga “Stacioni i Naftës Gorisht” në Bashkinë e Selenicës, një njësi industriale e drejtuar nga Albpetrol Sh.a., ku ndodhen disa puse dhe depozita nafte. Pikërisht nga kjo zonë, mbetjet hidrokarbure derdhen në një përrua i cili kalon nëpër një terren me toka bujqësore dhe sipërfaqe pyjore, përpara se të përshkojë një zonë më të sheshtë dhe të përfundojë rrjedhën e vet në lumin Vjosë. Rrjedha e këtij përroi është e dukshme në hartë përmes një vije të zezë (e vizatuar) që ndjek itinerarin e mbetjeve nga burimi i ndotjes deri te lumi. Pikërisht në segmentin verilindor të hartës, përroi bashkohet me Vjosën në një zonë që ndodhet brenda kufijve të Parkut Kombëtar, i mbrojtur me status të veçantë mjedisor. Ky rrjedhje jo vetëm që përfaqëson një dëshmi vizuale të ndotjes, por tregon gjithashtu se ndotja nuk është lokale, por me ndikim të gjerë mbi një prej lumenjve më të rëndësishëm dhe të egër të Evropës.

