Majftojnë vetëm votat e PS, Këshilli Bashkiak miraton krijimin e “Vlora Invest” që do të menaxhojë pronat e bashkisë

Majftojnë vetëm votat e PS, Këshilli Bashkiak miraton krijimin e “Vlora Invest” që do të menaxhojë pronat e bashkisë
Screenshot

Një ditë pasi nuk arriti kuorumin, për shkak se opozitarët braktisën mbledhjen dhe mazhoranca nuk kishte numrat e vetme, Këshilli Bashkiak është mbledhur sërish.

Rendi i ditës sërish ishte i njëjtë pavarësisht kundërshtive të opozitës, ku këshilltarët e pakicës pohuan se ishte në kundërshtim me rregulloren, mazhoranca nuk bëri asnjë ndryshim.

Projektvendimi më i diskutuar në këtë mbledhje ishte ai për krijimin e shoqërisë tregtare me kapital 100% të bashkisë “Vlora Invest”.

Pavarësisht argumenteve kundër të opozitës, mazhoranca me votat e saj miratoi projektvendimin që parashikon ngritjen e një shoqërie sh.p.k. për të menaxhuar pronat dhe asetet e Bashkisë Vlorë.

Këshilltarët e opozitës ngritën hije dyshimi se krijimi i kësaj shoqërie shkakton tjetërsimin e pronave dhe aseteve nën varësi të bashkisë. Por vetë kryetarja e Bashkisë Vlorë, Bruna Mersini e pranishme në mbledhjen e Këshillit Bashkiak ka sqaruar se “Vlora Invest” do të bëjë vetëm menaxhimin e pronave dhe aseteve të bashkisë.

Sipas Mersinit, qëllimi i krijimit të kësaj shoqërie është zhvillimi i aseteve që Bashkia Vlorë zotëron.