KLSH gjen në shkelje Entin e Banesave në Vlorë: Vepron pa transparencë, ka realizuar 74% të planit vjetor

KLSH gjen në shkelje Entin e Banesave në Vlorë: Vepron pa transparencë, ka realizuar 74% të planit vjetor

Kontrolli i Lartë i Shtetit ka evidentuar një sërë problematikash në Entin Kombëtar të Banesave, duke nxjerrë në pah dobësi të theksuara në menaxhimin financiar, mungesë transparence dhe shkelje të procedurave ligjore. Sipas këtij raporti të publikuar së fundmi, një nga rastet më problematike rezulton dega e Vlorës, e cila sipas auditimit paraqet performancë të dobët dhe dështim në realizimin e të ardhurave.

KLSH sqaron se dega e Entit të Banesave në Vlorë ka realizuar vetëm 17.9 milionë lekë nga 24.3 milionë lekë të planifikuara, ose rreth 74% të planit vjetor. Ky mosrealizim lidhet drejtpërdrejt me dështimin për të shitur banesat e reja dhe njësitë e tjera të planifikuara në këtë qytet.

Në të njëjtën kohë, auditimi evidenton se mosrealizimi i të ardhurave nuk është një rast i izoluar, por pjesë e një problemi më të gjerë që lidhet me mënyrën e planifikimit dhe menaxhimit të shitjeve nga EKB.

Po ashtu, në këtë raport një nga problematikat më të rënda sipas KLSH lidhet me mungesën e transparencës për projektet e banesave. Në raport theksohet se në faqen zyrtare të EKB-së, përfshirë seksionet për qytete si Vlora, nuk publikohen të dhëna thelbësore si sipërfaqet e apartamenteve, kostot e ndërtimit apo çmimet e shitjes.

Sipas auditimit, kjo situatë “nuk siguron transparencë për publikun në lidhje me kostot dhe çmimin e shitjes së apartamenteve” dhe cenon gjurmën e auditimit për fondet publike.

Po ashtu, në këto programe mungojnë elementë bazë si: numri i banesave që do të ndërtohen, sipërfaqet e tyre dhe çmimet e shitjes dhe kostot përkatëse.  Kjo, sipas audituesve, krijon mungesë transparence dhe e bën të pamundur ndjekjen e një gjurme të qartë financiare dhe operative.

Në aspektin financiar, auditimi nxjerr në pah probleme serioze edhe në administrimin e klientëve dhe debitorëve. Konkretisht, në listat e arkëtimeve figurojnë ende detyrime të pambledhura që prej vitit 1995, në vlerë rreth 612 milion lekë, për të cilat nuk janë ndjekur procedurat ligjore përkatëse.

Gjithashtu, KLSH konstaton se nuk ekziston një metodologji e unifikuar për zhvlerësimin e klientëve dhe për llogaritjen e detyrimeve, ndërsa përllogaritjet financiare kryhen në mënyrë manuale nga degët, duke rritur riskun për pasaktësi dhe abuzime.

Në total, KLSH ka identifikuar 8 gjetje dhe ka dhënë 11 rekomandime për përmirësimin e situatës, duke kërkuar masa konkrete për: miratimin e rregullt të programeve financiare, përmirësimin e planifikimit me të dhëna të detajuara, rritjen e transparencës për publikun, dhe forcimin e kontrollit mbi kontratat dhe financat.