Nëse proteston, dëgjohesh. Ky është përfundimi pas protestave të banorëve të 7 fshatrave që prej vitesh kërkonin rrugë për të shkuar në banesat e tyre.
Banorët e fshatrave nga Velça deri në Vërmik protestuan dy herë në muajin Gusht dhe tashmë Bashkia Selenicë duket se ka marrë masat. Gjurmon.al shkoi pak ditë më parë në vendin ku u protestua dhe në hyrje të rrugës qëndronte një tabelë që informonte nisjen e punimeve.

Punimet nuk do të prekin të gjithë rrugën, segmentin 25 kilometër në Qafa e Varritavës deri në Vërmik, por vetëm 6 kilometrat e para, e njohur si rruga e Shullërit.
Investimi në këtë segment do të kushtojë më shumë se 111 milionë Lekë të rinj dhe banorët do duhet të presin edhe 10 muaj që të shohin të përfunduar këtë rrugë.
Por pavarësisht nisjes së punimeve për 6 kilometrat e para, banorët shprehen të pakënaqur me pushtetin lokal. Të kontaktuar nga Gjurmon.al ata u shprehën se protesta ka qenë për të gjithë segmentin rrugor, ndaj dhe kërkojnë që rruga të mos bëhet pjesërisht por e plotë.

