Bishani dhe Poro, fshatrat shumë pranë Vlorës që janë braktisur

Bishani dhe Poro, fshatrat shumë pranë Vlorës që janë braktisur

Fshatrat Bishan dhe Poro, në Njësinë Administrative Novoselë, ndodhen shumë pranë Vlorës. Aksesi në këto fshatra është lehtësuar edhe për shkak të autostradës Vlorës-Fier, por duket se kjo afërsi me qytetin është kthyer në mallkim për banorët e mbetur në këtë zonë.

Shpopullimi ka prekur edhe këto dy fshatra, ku në fundjavë ishte e vështirë që takoje banorët. Të paktë ishin ata që lëviznin në rrugicat e fshatit, dhe ata të paktë që mund të shihje ishin kryesisht të moshuar.

Një banore në Bishan pohoi për Gjurmon.al se prej vitesh jetonte vetëm me bashkëshortin, pasi fëmijët ishin larguar në emigrimë.

Jetoj vetëm me bashkëshortin, jemi të dy pensionistë, me bujqësi merremi me sa fuqi kemi. Fëmijët janë larguar të gjithë, janë shpërndarë në Evropë”, pohoi e moshuara rreth të 70-ave.

Fatin e kësaj të moshuare duket se e kanë edhe shumë banorë të tjerë në këtë fshat, pasi shkolla pak nxënës ka. Sipas banorëve vit pas viti po ulet në mënyrë drastike numri i nxënësve dhe rrezikon që të mbyllet.

Pak kilometra më tej është fshati Poro. Dredhimet e rrugës nëpër fushat e mbjella, por nën ujë nga përmbytjet, të dërgojnë në këtë fshat. Aty takuam një bari, i cili na pohoi se delet ishin burimi i vetëm për të jetuar.

Me këto dele jetoj, mundohemi të jetojmë. Shteti nuk na ka ndihmuar, nuk marrë subvencione”, tha bariu, një burrë rreth të dyzetave. Kur e pyesim se ku janë banorët na pohon se janë larguar të gjithë në emigrim.

Shkolla shumë pak nxënës ka, të rinj janë më pak se 10 veta. Vetëm të moshuar kanë mbetur, të rinjtë vetëm largohen”, tregon ai duke shtuar se “nuk kanë çfarë të bëjnë këtu ndaj ikin”.

Histori të tilla është e lehtë të gjesh në çdo fshat shqiptar, por jugu i vendit duket është më i prekur nga fenomeni i shpopullimit. Fshatrat e Vlorës rrezikojnë të zhduken nga harta, pasi banorët vetëm po i braktisin.