Një projektvendim i pakonsultuar me qytetarët dhe i futur në rendin e ditës në mbledhjen e muajit Korrik në Këshillin Bashkiak Sarandë, është miratuar mes debateve dhe pranisë së policisë në sallë.
Bashkia Sarandë kishte propozuar për votim dhë nien me qira të 60 hektarëve tokë me pronësi shtet, për t’u shfrytëzuar për park fotovoltaik.
Banorët e fshatit Nivicë në Sarandë kanë kundërshtuar këtë vendim dhe u mblodhën të mërkurën për të protestuar edhe brenda mbledhjes së Këshillit Bashkiak, por forcat e shumta të Policisë së Shtetit nuk lejuan hyrjen e tyre.

Banorët ngritën pretendime se toka ku pritet të ndërtohet parku fotovoltaik është e tyre dhe jo shtet, ndaj për këtë investim duhet të pyeten edhe ata. Po ashtu ata janë shprehur se çështja e pronësisë aktualisht është ende në shqyrtim gjyqësor.
Politika bëhet bashkë kundër banorëve
Pavarësisht kundërshtive dhe protestës së banorëve këshilltarët bashkiak kanë vituar pro dhënies me qira të 60 hektarëve tokë. Si rrallë herë këshilltarët e të gjitha forcave politike janë bërë bashkë dhe unanimisht votuan kundër banorëve të Nivicës.
Mbledhja e këtij muaj në Këshillin Bashkiak zgjati pak më shumë se një orë, po kaq edhe protesta e banorëve të cilët kërkuan përballje me të zgjedhurit vendor, por këta të fundit u larguan nga salla nga një derë alternative duke shmangur takimin me ta.
Protesta e së mërkurës nuk do të jetë e fundit për banorët e Nivicës, të cilët kanë premtuar se do të vijojnë rezistencën për mbrojtjen e tokës që, sipas tyre, u takon me të drejtë dhe për të cilën po ndjekin rrugën ligjore në gjykatë.
Sipas tyre vendimi është i njënashëm dhe i gabuar, duke paralajmëruar edhe konflikt social nëse autoritetet nuk tërhiqen.
Projekti i fotovoltaikëve prej kohësh në sirtarët e bashkisë
Vendimi i dhënies me qira të 60 hektarëve tokë në Nivicë nuk është i padëgjuar nga banorët. Kjo është hera e tretë që futet në rend dite, por në dy herët e tjera nuk është mundur të miratohet.

Gjithçka nis në vitin 2023, ku Bashkia e Sarandës i paraqiti Këshillit Bashkiak një projekt vendim “Për miratimin e planit të menaxhimit për ekonominë kullosore “Heremec” me sipërfaqe 1233.21 ha për periudhën 2023-2033”.
Pas miratimit të këtij vendimi, në tetor të vitit 2023, Bashkia paraqeti në Këshill një projekt vendim për “Miratimin në parim të dhënies me qira, me konkurim, të një sipërfaqeje prej 175 ha, pjesë e pasurisë me nr.8 dhe nr.15 zona kadastrale 2806, për zhvillim aktiviteti prodhim energjie nga burime të rinovueshme, nëpërmjet paneleve fotovoltaike”.
Pas miratimit të akteve të para, por që kishin lënë pezull projektin, Bashkia paraqiti projektvendimin për dhënien me qira të tokës dhe pa asnjë kundërshtim nga opozita tashmë vendimi është marrë kundër banorëve.
Kush janë investitorët?
Siç ndodh zakonisht për vendime të tilla, bashkia e kishte mbajtur të fshehtë por sipas raportimeve në media, pas projektit fshihet kompania Park Sol Energy, e cila zotërohet nga dy aksionerë. Agim Xhindoli dhe Paqsor Buzi janë dy pronarët e kompanisë, emra jo pak të njohur për publikun.
I pari një ish-demokrat, i cili tashmë ka braktisur forcën e dikurshme politike, dhe pak kohë më parë pranoi dhe të ishte pjesë e podcast të Edi Ramës.
Ndërsa Paqsor Buzi njihet si person që përfiton tendera publikë përmes kompanisë së tij, G.P.G. Sipas raportimeve në media në 5 vitet e fundit kjo kompani ka marrë më shumë se 150 milionë Euro pagesa nga thesari i shtetit.
Edhe Vlora me të njëjtin problem
Një projekt i ngjashëm për të dhënë në favor të privatit më shumë se 800 hektarë tokë në Shashicë u diskutua pak ditë më parë në Këshillin Bashkiak Vlorë.
Banorët e zonës shprehën kundërshti, po ashtu edhe opozita, por maxhoranca dukej e vendosur për ta kaluar me votat e saj këtë vendim. Por me një lëvizje të beftë, kryetarja e Këshillit Bashkiak vendosi tërheqjen nga rendi i ditës me arysetimin se toka ku do të ndërtohej parku fotovoltatik nuk ishte e gjitha shtet.
Pavarësisht se ku vendim nuk kaloi në këshill, ende projekti vijon të jetë në sirtarët e Bashkisë Vlorë dhe nuk dihet se kur do të rikthehet për t’u miratuar.

