Ballkoni Panoramik i Vlorës, i dëmtuar dhe i braktisur prej vitesh

Ballkoni Panoramik i Vlorës, i dëmtuar dhe i braktisur prej vitesh
Screenshot

Ballkoni panoramik i Vlorës, një nga atraksionet më të njohura për vizitorët e qytetit dhe simbol i zhvillimit turistik, qëndron i dëmtuar dhe i braktisur nga bashkia prej vitesh. Ky monument, i cili u përurua në vitin 2018 me shpresën për të ofruar një pikë të veçantë vëzhgimi mbi bregdetin e Vlorës, u dëmtua shumë shpejt nga persona të paidentifikuar vetëm pak muaj pas inaugurimit.

Në vend që të shërbente si një atraksion për qytetarët dhe turistët, sot në vitin 2024, ballkoni panoramik është shndërruar në një dëshmi të degradimit dhe mungesës së kujdesit. Struktura ka pësuar dëmtime të konsiderueshme; xhamat mbrojtës janë shkatërruar plotësisht, duke lënë pas vetëm disa shufra metalike të zbrazëta dhe copa xhami të thyer.

Dëmtimi i ballkonit ka ngritur shqetësime për sigurinë e qytetarëve që vizitojnë zonën, ndërsa banorët dhe aktivistët lokalë kanë kërkuar vazhdimisht ndërhyrje nga ana e autoriteteve. Megjithatë, bashkia e Vlorës deri tani nuk ka ndërmarrë ndonjë hap konkret për rikuperimin e këtij objekti, duke lënë kështu një plagë të hapur në peizazhin turistik të qytetit.

Ballkoni panoramik i Vlorës u ndërtua si pjesë e një sërë investimesh për zhvillimin urban dhe turistik të qytetit. Ky projekt u realizua nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit, i cili ka zbatuar edhe projekte të tjera në Vlorë.