Tregtarët e tregut të madh dhe atij të fruta-perimeve në zonën e njohur si “Kapelja” në Vlorë janë ngritur sërish në protestë. Mëngjesin e kësaj të hëne, tregtarët kanë shkuar në dyqanet e tyre për të vijuar aktivitetin por janë ndalur nga forcat e policisë që u kanë komunikuar se nuk mund të kryejnë më aktivitetin e tyre në këtë zonë.
Duke mos pasur një alternativë se ku do ta vijojnë aktivitetin e tyre, tregtarët janë ngritur në protestë për të dytën herë brenda pak ditësh.
Ata janë mbledhur përpara bashkisë dhe kanë tentuar që të futen në godinë për të marrë informacion se çfrarë do të bëhet me ta, por edhe këtë herë nuk kanë marrë shpjegime.
Ata kërkojnë një zgjidhje për vendin se ku do të ushtrojnë aktivitetin e tyre, duke pohuar se bashkia u ka dhënë disa mundësi, por në asnjë prej tyre nuk ka as kushte minimale.
Ndërkohë, në tregun e madh të fruta-perimeve ka nisur puna për rehabilitimin e zonës dhe kthimin e saj në një hapësirë multifunksionale, të integruar me zonën historike të qytetit. Gjurmon.al ishte pak ditë më parë në këtë zonë dhe punimet duket se nuk kishin avancuar.
Një problem që shihej që në hyrje të tregut ishte tabela informuese për nisjen e punimeve. Sipas tabelës punimet kanë nisur në Shkurt, por në realitet tregtarët dolën me forcë nga dyqanet e tzre vetëm në muajin Maj.
Më herët, kryetarja e bashkisë Vlorë, Brunilda Mersini ka deklaruar se tregtarët janë njoftuar prej 5 muajsh për zhvendosjen e mallrave dhe lirimin e ambienteve, në bazë të afateve të përcaktuara nga vendimi i Këshillit Bashkiak.

