Ndërtimi i parkimit te universiteti shkatërron lulishten, banorët shprehin pakënaqësi

Ndërtimi i parkimit te universiteti shkatërron lulishten, banorët shprehin pakënaqësi

Prej disa ditësh në lulishten pranë Universitetit të Vlorës kanë nisur punimet për ndërtimin e parkimit të ri. Në këtë zonë do të parkohen gati 300 makina në përfundim të projektit.

Ndërtimi i parkimit, duket se po shkakton pasoja te lulishja, e cila është një prej simboleve të qytetit. Pemët janë shkulur nga kjo zonë, e një pjesë e tyre janë mbjellë në zona të tjera, ndërsa një pjesë e tyre duket se kanë fatin që të thahen.

Gjurmon.al ishte në këtë zonë, ku shihet qartë se pemët e shkulura kanë nisur të thahen dhe sipas banorëve të zonës një pjesë tjetër e pemëve shumë vjeçare janë prerë.

Ndërkohë po banorët shprehen se projekti mund të ishte bërë më mirë, duke ruajtur të gjithë bimësinë, por shtojnë se parkimi ishte i domosdoshëm për këtë zonë.

Nga ana tjetër kantieri i ndërtimit ka bllokuar dhe shkallët e universitetit, ku tashmë studentët do duhet të kalojnë në bypasset e ndërtuar mes pjesës së mbetur të lulishtes.