Një ngjarje e rëndë është shënuar mesditën e së martës në Vlorë, ku një qen i llojit pitbull ka sulmuar një 4-vjeçare duket e dëmtuar në pjesën e kokës dhe në trup.
Sipas informacioneve ngjarja ka ndodhur në zonën e Lungomares, ku 4-vjeçarja ishte duke shëtitur me gjyshërit e saj teksa është sulmuar nga qeni, që mësohet se ishte i lidhur me zinxhir por ka mundur që të shpëtojë prej tij.
Vajza e vogël është shpëtuar nga një punonjës i një kompanie që gjendjen në ato momente aty. Sejko Veliu, dëshmitari okular i kësaj ngjarje tregon se ngjarja ka ndodhur shumë shpejt.
“Erdhën të dy gjyshi me gjyshen i mora hajt t’u bëj një foto Sejkoja, ik i thashë zoti të bëj mbretëreshë. Kaq i thashë unë”, thotë ai. Por sapo kanë bërë disa hapa më tutje në shëtitjen e tyre buzë detit në Lungomare, një qen i racës pitbull sulmoi vajzën e vogël.
“Ikën qeni po vinte andej, një ta mbërthyer te koka”, shton ai. “E pashë mu veshën sytë e kapa qenin e lidha me zinxhirë te shtylla, e kapi në kokë, do kishte vdekur ajo. Fati që vajta unë dhe thashë çfarë pati. Qeni rrugës marr vesh unë nga këta pitbullët e mëdhenj. Ne punojmë këtu, kjo ishte rastësi”, thotë Sejko.
E vogla u dërgua me urgjencë në spital dhe iu nënshtruar një ndërhyrje kirurgjikale pasi qeni e kafshoi në kokë dhe në qafë. Gjyshja e vajzës 4-vjeçare që u kafshua nga qeni në Lungomare rrëfen momentet e tmerrit. Ajo tregon se kishin dalë për një shëtitje, kur papritur u sulmuan nga një qen endacak.
“Kishim dalë buzë detit, e kisha vajzën përdore. E pashë qenin, bëri sikur iku dhe më pas erdhi dhe iu hodh vajzës”, tha gjyshja e vogëlushes.
Kjo ngjarje rikthen edhe njëherë debatin lidhur me sigurinë në Vlorë, pasi ky nuk është rast i vetëm kur një qen ka sulmuar një njëri. Në muajt e fundit kanë ndodhur disa raste, ku pre e sulmeve nga qentë endacakë kanë rënë edhe turistët e huaj.
Ky rast i sotëm është një kambanë alarmi që duhet të dëgjohet nga autoritetet, të cilat duhet të ndërhyjnë që ngjarje të tilla të mos përsëriten.

