Prej disa javësh Bashkia Vlorë publikon fotografi dhe video duke propaganduar pastrimin e kanaleve kulluese. Që nga shembja e godinave që kanë bllokuar kanalet, bimësia dhe plehrat, bashkia po premton pastrimin e tyre.
Por situata në terren është ndryshe. Qytetarët të shumtë kanëncuar në Gjurmon.al se kanalet vijojnë të jenë të bllokuar. Kjo konstatohet edhe nga një vëzhgim i Gjurmon.al, ku siç shihet edhe nga pamjet me dron kanali kullues në hyrje të qytetit është i mbushur me plehra.
Përveç ujit që është i ndotur dhe i tillë derdhet edhe në det, ky kanal është i tejmbushur me mbetje plastike.
Siç shihet nga pamjet ky kanal është pastruar nga bimësia, por mbetjet nuk janë hequr prej aty. Banorët e zonës treguan për Gjurmon.al se kjo situatë ka disa javë që vijon dhe askush nuk ka dëgjuar ankesat e tyre.
Sipas banorëve nga kanali vjen një aromë e rëndë, që e bën zonën të pajetueshme, pasi siç thonë ata në këtë kanal derdhen edhe ujëra të zeza.
Ky nuk është i vetmi kanal në Vlorë që shfaq problematika. Siç edhe kemi raportuar më herët, në shumë pjesë kanalet kulluese në qytet janë të bllokuar.

