Shqetësimi i qytetarëve nuk dëgjohet, Bashkia Vlorë zgjidhje të mangët për aksidentet në bulevardin “Ismail Qemali”

Shqetësimi i qytetarëve nuk dëgjohet, Bashkia Vlorë zgjidhje të mangët për aksidentet në bulevardin “Ismail Qemali”

Pak muaj më parë një peticion online u firmos nga qindra qytetarë të Vlorës, duke kërkuar rritjen e sigurisë për këmbësorët në bulevardin “Ismail Qemali”.

Me anë të këtij peticioni banorët kërkonin heqjen e betonëve konikë në bulevard, pasi ishin bërë burim aksidenti për shumë shumë qytetarë. Bashkia Vlorë, këtë të martë, me anë të një postimi në mediat sociale deklaron se ka dëgjuar shqetësimin dhe e ka zgjidhur problemin.

“Shqetësimi i banorëve për incidentet që mund të shkaktojnë kufizueset e makinave, përgjatë bulevardit, për shkak të dukshmërisë të ulët, po merr zgjidhje. Jemi kujdesur t’i lyejmë me ngjyrë të fortë, për t’u dalluar qartë gjatë ditës dhe me efekt fosforeshent gjatë natës, duke rritur sigurinë për të gjithë qytetarët”, citohet në njoftimin e bashkisë.

Por ky problem nuk është zgjidhur plotësisht, pasi nga institucioni është bërë vetëm lyerja e betonëve konikë dhe jo zëvendësimi i tyre.

Shqetësimi i banorëve duket se është dëgjuar pjesërisht, pasi sipas tekstit të peticionit të disa muajve më parë, aksidentet do të vijojnë nëse këto betonë nuk hiqen.

Banorët e Vlorës nisin peticionin online, kërkojnë rritjen e sigurisë për këmbësorët në bulevardin “Ismail Qemali”