Rruga e Tërbaçit nis të dëmtohet ende pa përfunduar, milionat që shkuan dëm

Rruga e Tërbaçit nis të dëmtohet ende pa përfunduar, milionat që shkuan dëm
Rruga e Tërbaçit

Pak muaj para zgjedhjeve të 11 Majit, banorët e fshatit Tërbaç në Bashkinë Himarë panë në hyrje të rrugës që lidh fshatin e tyre me segmentin Kuç-Qeparo mjetet e rënda të kompanive private që nisën punimet.

Më vonë pranë lapidarit, që kujton gjakun e derdhur nga dëshmorët e këtij fshati në luftën për liri, u vendos edhe një tabelë që tregonte dhe nisjen yzrtare të punimeve. Sipas të dhënave të tabelës rrugë do të përfundonte brenda 12 muajve dhe të kushtonte 250.879.783,23 Lekë pa TVSH.

Punimet nisën dhe para gjedhjeve u intesifikuan, por sërish nuk u mbyllën dot para 11 Majit. Muajt kaluan shpejt dhe drejtuesit shtetërorë nisën reklamimin e kësaj rruge që sipas tyre do t’i jepte frymëmarrje këtij fshati.

Rruga e re e asfaltuar e Tërbaçit, një tjetër punë e mirë në dobi të komunitetit! Puna po ecën me ritme të shpejta për asfaltimin e rrugës së Tërbaçit! Ky investim i shumëpritur jo vetëm lehtëson lëvizjen e banorëve, por dhe rrit aksesin ndaj shërbimeve, ekonomisë lokale dhe mundësive të reja për zhvillim.

Një infrastrukturë më e mirë do të thotë më shumë mundësi për komunitetin dhe një e ardhme më e qëndrueshme për banorët e fshatit. Krenar për hapat përpara dhe angazhimin për të sjellë ndryshime konkrete në jetën e përditshme të njerëzve!”, shkroi në fund të Nëntorit deputeti Vullnet Sinaj.

Ndërsa kreu i Bashkisë Himarë, Vangjel Tavo në 9 Shtator kur nisi dhe hedhja e shtresave të asfaltit, e quajti këtë investim të rëndësishëm.

Rruga e Tërbaçit, një tjetër investim i rëndësishëm për Himarën. Punimet për asfaltimin e saj po ecin me ritme të shpejta, duke e kthyer këtë projekt në një shembull të qartë të transformimit që po përjetojnë fshatrat tanë. Ky investim nuk është thjesht një rrugë e re, por një hap i rëndësishëm drejt përmirësimit të jetës së përditshme për banorët e Tërbaçit.

Ajo do të mundësojë lëvizje më të shpejtë dhe më të sigurt, qasje më të lehtë drejt tregjeve dhe shërbimeve, si edhe lidhje më të forta mes fshatrave të Himarës. Infrastruktura moderne është çelësi që lidh historinë tonë me të ardhmen. Me këtë rrugë, Tërbaçi nuk fiton vetëm një investim në cilësinë e jetës, por hap edhe dyer të reja për zhvillimin e turizmit, ekonomisë vendase dhe për perspektivat e brezave të rinj. Me çdo rrugë që ndërtojmë, i japim jetë të re fshatrave dhe rrisim potencialin e gjithë Himarës”, shkoi Vangjel Tavo.

Por teksa makineritë tashmë janë larguar nga Tërbaçi dhe kjo rrugë konsiderohet e përfunduar kanë nisur dhe problemet e para. Banorët e fshatit denoncuan në Gjurmon.al gjendjen e kësaj rruge, ku sipas tyre cilësia e dobët e punimeve ishte shkak për dëmtimet që ka pësuar segmenti gati 3 kilometër.

Gjurmon.al përshkoi pak ditë më parë këtë segment rrugor, ku shihet qartë dëmtimi në disa pjesë të saj. Asfalti në shumë pjesë është gërryer e rruga është dëmtuar. Problematikat shihet qartë kudo, ku tashmë duket se fondet e shpenzuara për këtë rrugë po shkojnë dëm dhe investimi është urgjent.