Ura pasarelë në Lepenicë me probleme, bashkia e shpall të pakalueshme por banorët vijojnë të rrezikojnë

Ura pasarelë në Lepenicë me probleme, bashkia e shpall të pakalueshme por banorët vijojnë të rrezikojnë

Ura pasarelë e Lepenicës është shpallur e pakalueshme nga Bashkia Selenicë, por ky vendim nuk po respektohet.

Dëmtimet në këtë urë, si mungesa e pllakave prej hekuri, që rrezikonin jetën e çdo kalimtari detyruan bashkinë që të vendoste shiritin dhe të mos lejonte askënd të kalonte mbi të.

Por ky vendim duket se nuk po zbatohet pasi banorët e këtij fshati, së bashku me bagëtitë e tyre vijojnë me të njëjtën rutinë.

Siç shihet edhe nga pamjet, barinjtë e zonës vijonë të kalojnë në këtë urë edhe pse është shpallur e rrezikshme. Kjo urë është dëmtuar me kalimin e viteve dhe kërkohet ndërhyrje, por ndërhyrja e vetme si fillim ishte vendosja e një shiriti me mbi shkrimin “Policia Bashkiake” e më pas është bërë një ndërhyrje e pjesshme.

Banorët e zonës jashtë kamerës u shprehën të pakënaqur me riparimet e bëra në urë, pasi siç thonë ata problemi nuk është zgjidhur. “Frika ekziston akoma, por jemi të detyruar të kalojmë në këtë urë, kemi tokat dhe kullossim bagëtitë në anën tjetër të lumit”, pohoi një banor.

Ura e Lepenicës si të gjitha urat e tjera mbi lumin Shushica po degradon. Gjurmon.al ka dokumentiar problematika edhe në urën e Kallaratit, por edhe në atë të Lapardhasë, ku të gjitha pasarelat duket se po rrezikojnë jetën e banorëve.