Kontrolli i Lartë i Shtetit ka përfunduar raportin auditues për Bashkinë Selenicë ku gjetjet janë “për të vënë duart në kokë”. Sipas raportit prej 143 faqesh të grupit të audituesve të KLSH, Bashkia Selenicë ka kryer shkelje të shumta në procedurat tenderuese përgjatë viteve të fundit.
Kontrolli i Lartë i Shtetit evidenton se në dhjetëra procedura prokurimi me vlerë qindra milionë lekë janë vendosur kritere të pajustifikuara dhe pa lidhje me objektin e kontratave, duke cenuar konkurrencën dhe transparencën. Po ashtu në disa raste, fondet limit nuk janë argumentuar, ndërsa mungojnë specifikime teknike për projekte të rëndësishme si banesa sociale, rikonstruksione shkollash dhe ndërhyrje infrastrukturore.
Gjurmon.al ka lexuar dhe analizuar të gjithë raportin e KLSH për Bashkinë Selenicë, por sot po sjellim vetëm pak nga qindra shkeljet e gjetura nga audituesit. Në faqen 29 ku ka audituar tenderin “Përmirësim i banesave egzistuese për komunitet e varfra dhe të pa favorizuara” për vitin 2023, rezultojnë disa shkelje.
“Me shkresën 1793 prot., datë 15.08.2023 është mbajtur procesverbal për Argumentimin e Specifikimeve Teknike dhe fondit limitsi dhe Kriteret e Kualifikimit” i nënshkruar nga specialistët e fushës A.V dhe Rosela Pashaj. Preventivi është preventivuar nga ing. K.B dhe Topograf A.V.
Nga auditimi konstatohet se, fondi limit nuk është i argumentuar, ku zërat e preventivit mbi bazat e të cilave është përcaktuar fondi limit, për asnjërën nga banesat që janë pjesë e kontratës nuk ka të detajuar nevojat për të cilat do të kryen punimet pasi nuk ka të përcaktuar zërat që do të bëhën ndërhyrjet në banesat,për të nxjerrë volumet sipas zërave të preventivit.
Nuk ka të përcaktuara qartë spcifikimet teknike lidhur me llojin e materialeve të ndërtimin që përdoren në këtë projekt, cilësin e tyre dhe standartet që duhet të plotësojnë. Këto veprime në kundërshtim me nenin 76 pika 2 të VKM nr. 285 datë 19.5.2021 Për Miratimin e Rregullave Të Prokurimit Publik. Për veprime dhe mosveprimet ngarkohen me përgjegjësi z, A.V, zj,R.P, z.K.B”, thuhet në raportin e KLSH.
Më tej në dokument evidentohen edhe shkelje të tjera. “Në lidhje me Kriterin e vendosur 2.3.4 ku thuhet: a) Operatorët ekonomik pjesëmarrës duhet të kenë të punësuar si staf mbështetës për kryerjen e të gjitha punimeve në këtë objekt, të vërtetuar me kontratë pune të vlefshme, të pajisur me çertifikatë/dëshmi trajnimi të lëshuar nga subjekte të akredituar sipas ligjit, si dhe të figurojnë në listpagesat e shoqërisë për periudhën e kërkuar në pikën 2.3.4, punonjës me specialitetin si më poshtë: Minimuni 1 (një) person që përmbush kriteret për të qenë “Përgjegjës për sigurinë dhe mbrojtjen e shëndetit në punë” lëshuar nga organe të akredituar të njohur nga Republika e Shqipërisë. Kërkesa e mësipërme nuk është në përputhje me pikën 3 në nenin 7 të ligjit nr. 10237, datë 18.02.2010 “Për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë”, i ndryshuar, ku punëdhënësi mund edhe ta kontraktojë me palë të treta veprimtarinë e sigurisë dhe mbrojtjes në punë”, citohet më tej ne dokument.
Por ky është vetëm një dhjetëra tendera të audituar nga KLSh ku janë gjetur shkelje të Bashkisë Selenicë. Edhe sa i takon tenderit me objekt “Përmirësim i banesave egzistuese për komunitet e varfra dhe të pa favorizuara 2024”, sërish janë gjetur shkelje.
“Nga auditimi konstatohet se, fondi limit nuk është i argumentuar, ku zërat e preventivit mbi bazat e të cilave është përcaktuar fondi limit, për asnjërën nga banesat që janë pjesë e kontratës nuk ka të detajuar nevojat për të cilat do të kryen punimet pasi nuk ka të përcaktuar zërat që do të bëhën ndërhyrjet në banaset dhe mungojnë skicat e detajuara për të nxjerr volumet sipas zërave të preventivit. Nuk ka të përcaktuara qartë spcifikimet teknike lidhur me llojin e materialeve të ndërtimin që përdoren në këtë projekt, cilësin e tyre dhe standartet që duhet të plotësojnë. Këto veprime në kundërshtim me nenin 76 pika 2 të VKM nr. 285 datë 19.5.2021 Për Miratimin e Rregullave Të Prokurimit Publik”, citohet në raport.

