Deputetja e Vlorës dorëzon nismën në Kuvend: Investitorët strategjikë të marrin portet pa procedurë konkurrimi

Deputetja e Vlorës dorëzon nismën në Kuvend: Investitorët strategjikë të marrin portet pa procedurë konkurrimi
Projekt porti

Një nismë e depozituar së fundmi në Kuvend nga deputetja socialiste e qarkut të Vlorës, Zamira Sinaj, synon që të favorizojë investitorët strategjikë. Sipas nismës që mban fimën e deputetes Sinaj, investitorët strategjikë do të kenë lehtësira për të krijuar porte turistike në zonat ku edhe janë ndërtuar fshatrat turistikë, ku sërish kanë pasur lehtësira ligjore.

Sipas ligjit aktual, portet turistike mund të bëhen vetëm duke kaluar përmes procedurës së koncensionit, por sipas propozimit të Sinajt, për ata që kanë statusin e investitorit Strategjik, krijohet mundësia që mos i nënshtrohen këtij detyrimi.

Projektligji i deputetes Zamira Sinaj

Dokumenti i depozituar në Kuvend sqaron se nëse një subjekt ka marrë statusin e “Investitorit Strategjik” nga Komiteti i Investimeve Strategjike dhe porti është pjesë e këtij investimi, ai përjashtohet nga rregulli i përgjithshëm i garës. Kjo do të thotë se ndërtuesi i një resorti do të marrë automatikisht të drejtën për të ndërtuar dhe operuar portin, nëse ndërtimi është në bregdet.

Sipas ligjit aktual të porteve, nëse një ndërtim bëhet përmes koncensionit, privati ka të drejtë ta përdorë atë për disa vite duke kthyer investimin, por tashmë me këtë ndryshim ligjor, porti turistik i ndërtuar nga privati mbetet pronë e tij.

Projektligji i deputetes Zamira Sinaj

Referuar relacionit shoqërues për këtë ndryshim ligjor, deputetja Sinaj sqaron se qëllimi nuk është lehtësimi apo favorizimi për investitorët strategjikë, por se zbatimi i “ligjit për portet” dhe i “ligjit për investimet strategjike”, ka krijuar “mbivendosje procedurash” dhe “vonesa administrative”.

Projektligji i deputetes Zamira Sinaj

Më tej në relacionin shpjegues, deputetja e Vlorës sqaron se ndryshimi ligjor garanton “unitetin e projektit” dhe rrit “sigurinë juridike” për investitorët e huaj e vendas, dhe se një ndërhyrje e tillë ligjore do të sillte rritje të vendeve të punës dhe zhvillim të turizmit elitar.

Pavarësisht garancive që jep deputetja Sinaj, ky ndryshim ligjor ul transparencën dhe në fund të fituar rezultojnë të jenë privatët.