Vlora nuk gjen qetësi. Të paktën në rrjetin e ujësjellësit. Sa rregullohet një problem, një tjetër shfaqet.
Teksa banorët e Vlorës u rikthyen në normalitet pas ndërprerjes 5 ditore të ujit, një tjetër problem u shfaq këtë mbrëmje.
Spas informacioneve, mësohet se është çarë një tubo në bulevardin “Ismail Qemali”, duke shkaktuar dhe përmbytje në këtë segment.
Një avari në sistemin e shpërndarjes së ujit ka çuar në shpërthimin e një tubi me diametër 50 cm, duke derdhur të gjithë ujin nga depozita e qytetit në Bulevardin “Ismail Qemali”.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00, pikërisht në kohën kur depozitat e ujit hapen për furnizimin e qytetit. Si pasojë e presionit të lartë dhe sasive të mëdha të ujit, rruga kryesore e Vlorës është mbushur me ujë, duke shkaktuar vështirësi për qarkullimin e automjeteve dhe këmbësorëve.
Sipas njoftimit zyrtar nga Ndërmarrja e Ujësjellës-Kanalizimeve të Vlorës, çarja e tubit ka ndodhur si pasojë e punimeve që po kryen një firmë private për ndërtimin e një objekti publik pranë zonës.

