Mesapliku është një prej fshatrave të Bashkisë Selenicë, dikur pjesë e komunës së Bratajt. Mesapliku është një prej fshatrave më të rëndësishëm në lumin e Vlorës por prej vitesh ka mbetur i izoluar për shkak të rrugës.
Për të shkuar në këtë fshat, do duhet të përshkosh një pjesë të rrugës së lumit të Vlorës dhe sapo lë Tërbaçin do duhet të kthehesh në të majtë në një rrugë e cila pre vitesh nuk ka parë dritën e investimit.
Asfalti shfaqet herë pas here mes zhavorrit që dita-ditës po mbizotëron këtë segment rrugor. 7 kilometrat që duhen për të shkuar në Mesaplik pasi lë rrugën kryesore duan të nëjtën kohë që përshkon gjithë segmentin që nga Vlora.
Ekipi i Gjurmon.al udhëtoi drejt këtij fshati pak ditë më parë, ku pa nga afër se si Mesapliku i dikurshëm shfaqej vetëm mes rrëfimeve të banorëve. Të paktë janë ata që jetojnë në këtë fshat të largët të Labërisë dhe shkaku kryesor i largimit të një pjese të banorëve, është rruga.
Kjo pohohet nga të gjithë banorët që folën për Gjurmon.al. “Na është premtuar gjithë kohës, por kemi shpresë këtë vit. Na kanë thënë që është çelur dhe fondi, kanë ardhur kanë bërë edhe matjet. Lum kush jeton këtu, por kanë ikur vetëm nga rruga. Kanë ikur të rinjtë, kanë mbetur vetëm mosha ime”, tregoi një i moshuar të cilin e gjetëm në qendër të fshatit Mespalik.
Shpresa e tij për rrugën nuk është shuar ende, por sërish pohon se edhe nëse nuk e bëjnë rrugën tashmë janë mësuar me realitetin e hidhur. “Fshati ka hallin e ujit të pijshëm, për rrugën. Kryesisht rruga kryesore, por edhe lagjet se jemi mbytur në baltë”, tregoi një tjetër banor i fshatit.
Rruga është kryefjalë në të gjithë takimet me banorët, por problemi madhor që thonë se ka prekur edhe këtë fshat është shpopullimi. “Kemi mbetur vetëm ne moshatarët, por shohin njëri-tjetrin në sy”, thotë banori nga Mesapliku. Premtimet për rrugën janë bërë shpesh herë për banorët e Mesaplikut, por realiteti thotë të kundërtën.

