Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Brunilda Mersnini, e cila pak ditë më parë ka marrë detyrën, ka pranuar problemin e amortizimit të urës së Manastirit të Zvërnecit.
Mersini ka qenë vetë në Zvërnec ku ka parë nga afër problematikën dhe premton zgjidhje, por jo me fondet e bashkisë por me mbështetjen e donatorëve të ndryshëm.
“Amortizimi i urës së Manastirit të Zvërnecit nuk është thjesht një shqetësim i turistëve, më së pari është i bashkisë. Së bashku me specialistë dhe inxhinierë të një prej kompanive më të mëdha turke në projektimin dhe ndërtimin e urave, inspektuam sot gjendjen e krijuar nga lagështira e vazhdueshme.
Do të përpiqem maksimalisht që, me mbështetjen e donatorëve, të realizojmë një projekt të ri që do të përmirësojë të gjithë infrastrukturën e këtij xhevahiri të turizmit shqiptar!”, shkruan Mersini.
Lidhur me këtë problematikë, Gjurmon.al ka raportuar prej muajsh ku vetë turistët ngrinin shqetësimin për amortizimin e urës. Turistët pohuan për Gjurmon.al se ndiheshin të shqetësuar për mungesën e sigurisë në urë.

