Ndërtimi i aeroportit të Vlorës, Gjykata e Apelit urdhëron gjykimin në themel të Euronature

Ndërtimi i aeroportit të Vlorës, Gjykata e Apelit urdhëron gjykimin në themel të Euronature
default

Ndërtimi i aeroporit të Vlorës është duke u përballur me sfida të shumta, pas hetimeve që po bën SPAK lidhur me çështjen e tenderimit, tashmë edhe Gjykata e Apelit ka urdhëruar gjykimin në themel të çështjes së ngritur nga Euronature, e cila kërkon të respektohet mjedisi në këtë ndërtim.

Vetë organizata Euronature njoftoi se Gjykata Administrative e Apelit e ka kthyer çështjen e Aeroportit të Vlorës për gjykim në shkallën e parë, që do të thotë se gjykata më në fund mund të kalojë në themel të çështjes.

Padia e bërë nga PPNEA, organizatë partnere e Euronature, synon të mbrojë Lagunën e Nartës, e cila është e mbrojtur ndërkombëtarisht për migrimin e zogjve.

Vonesa trevjeçare ka pasur pasoja shkatërruese për zonën që padia në të vërtetë kërkon të mbrojë. Pavarësisht padisë dhe apeleve të ndryshme nga Konventa e Bernës dhe Komisioni i BE-së për të ndaluar ndërtimin, punimet vazhduan në Lagunën e Nartës – duke shkaktuar shkatërrim masiv të një prej ekosistemeve më të vlefshme të Shqipërisë dhe Evropës“, thuhet një një deklaratë të Euronature.

Prej vitesh organizatat mjedisore kanë bërë beteja kundër ndërtimit të aeroportit në Vlorë, pasi sipas tyre rrezikohet që zona e Vjosë-Nartës të shkatërrohet nga trafiku ajror që do të ketë.

Pavarësisht pretendimeve të tyre ndërtimi i aeroportit ka vijuar, ku është bërë edhe inaugurimi i pistës para zgjedhjeve të 11 Majit dhe u premtua që shumë shpejt do të kishte fluturime, por punimet në kantier vijojnë dhe nuk dihet se kur mund të përfundojnë.