Këshilltarët e opozitës në Këshillin Bashkiak Vlorë kërkojnë transparencë për të gjithë tenderat që janë zhvilluar gjatë periudhës tranzitore të ndërrimit të kryetarëve të bashkisë.
Sipas këshilltarëve opozitarë, bashkia prej vitesh është keqmenaxhuar, ndaj kërkojnë të nxjerrin në pah nëse gjatë periudhës tranzitore ka pasur abuzime me fondet.

“Ne nuk do të lejojmë që periudha tranzitore të shfrytëzohet për emërime klienteliste, tendera pa garë apo vendime të minutës së fundit që rëndojnë buxhetin publik dhe dëmtojnë qytetarët”, shkruan Gjergji Nika teksa publikon dhe kërkesën e depozituar në bashki.
REAGIMI I PLOTË
Së bashku me kolegët Atird Hoxha dhe Geron Gunbardhi, në cilësinë e Kryetarëve të Grupeve të Këshilltarëve të Opozitës dhe duke përfaqësuar 17 këshilltarët opozitarë në Këshillin Bashkiak, kemi dorëzuar një kërkesë zyrtare për informacion pranë Bashkisë.

Kjo kërkesë lidhet me periudhën tranzitore deri në marrjen e detyrës nga Kryetarja e re e zgjedhur, dhe synon të bëjë të qartë se askush nuk është mbi ligjin, mbi transparencën dhe mbi interesin publik.
Prej vitesh Bashkia është keqmenaxhuar në mënyrë të papërgjegjshme, me abuzime sistematike në shpenzime, në tendera dhe në vendimmarrje. Këto nuk janë më vetëm shqetësime politike — janë fakte të dokumentuara nga raporti i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit.
Ne nuk do të lejojmë që periudha tranzitore të shfrytëzohet për emërime klienteliste, tendera pa garë apo vendime të minutës së fundit që rëndojnë buxhetin publik dhe dëmtojnë qytetarët.
Opozita është në detyrë. Do të monitorojmë çdo hap. Dhe kush ka abuzuar, do të mbajë përgjegjësi. Koha vazhdon të na japë të drejtë — dhe kjo kohë nuk do të kthehet më pas.

