Ura gati 1 miliardë Lekë nis të ndërtohet, premtohet të jetë gati për 4 muaj

Ura gati 1 miliardë Lekë nis të ndërtohet, premtohet të jetë gati për 4 muaj

Ura e Vodicës e cila do t’i kushtojë buxhetit të Bashkisë Selenicë më shumë se 1 miliardë Lekë ka nisur të ndërtohet. Gjurmon.al pa nga afër punimet që kanë nisur në hyrje të fshatit, ku siç premtohet nga bashkia kjo urë do të jetë gati për 4 muaj.

Kjo urë që do të kushtojë më shumë se 1 miliardë Lekë do të lidh banorët e Vodicës me aksin Vlorë-Qeparo. Punimet e kësaj ure do t’i bëjë kompania EUROTEOREMA PEQIN shpk, e cila sipas Bashkisë Selenicë ka pasur ofertën më të ulët.

Kjo urë ishte premtuar banorëve më shumë se një vit më parë, por procedurat e tenderit kanë pasur vonesa të shumta.

Teksa kanë nisur punimet, debati nëse do duhej bërë kjo urë apo jo vijon, pasi në fshatin Vodicë kanë mbetur më pak se 30 banorë.

Fshati Vodicë për shkak të urës, por edhe për shkak të papunësisë dhe problematikave të tjera është shpopulluar, ndaj dhe ngrihen pikëpyetje nëse ky investim është i duhur apo paratë e shpenzuara nuk do t’i shërbëjnë askujt.