Pse krimi mjedisor në Shqipëri mbetet “pa autor” dhe pa ndëshkim?

Pse krimi mjedisor në Shqipëri mbetet “pa autor” dhe pa ndëshkim?

Në Shqipëri, shkeljet e ligjit që mbron mjedisin natyror, tokën, ujin, pyjet, ajrin etj, janë një realitet i përditshëm dhe flagrant. Ndërsa vendosja e drejtësisë duket më shumë një mirazh juridik.

Ky është konkluzioni alarmues i një serie prej pesë studimesh të thelluara, të prezantuara nga një koalicion organizatash të shoqërisë civile të udhëhequra nga Qendra Burimore e Mjedisit (REC Shqipëri), të cilat kanë skanuar çdo hallkë të sistemit, nga inspektorët e terrenit deri te gjyqtarët e Apelit. Gjetjet zbulojnë se nuk kemi të bëjmë thjesht me mangësi sporadike, por me një kulturë institucionale mosndëshkimi dhe një sistem të paralizuar përballë shkatërrimit të mjedisit dhe natyrës. Mbi 90 % e dëmeve në mjedis janë proceduar si kundravajtje administrative, pasi  mungon rregullimi ligjor,  për ndarjen e pasojave të lehta nga ato të rënda,  për rrjedhojë të kundërvajtjes administrative nga ajo penale. Viti 2025 solli edhe “risinë” e artikulimit e krimeve mjedisore si krim i organizuar në rastet e djegies së sipërfaqeve pyjore ose kullosore, me qëllim ndryshimin e destinacionit të tyre më pas.

Në këtë zinxhir të këputur drejtësie, përballuar edhe me presione të pushtetit dhe ato korruptive në nivel vendor, hallka e parë, Policia e Shtetit, duket se vuan nga varfëria teknike. Pavarësisht pranisë masive të krimeve në territor, një numër i madh veprash, të tilla si djegia e mbetjeve apo prerja e pyjeve klasifikohen si fenomene të krimit pa autor, duke e bërë Kodin Penal të vështirë për t’u zbatuar në realitet. Mungesa e ekspertëve tëatashuar pranë organeve hetimore dhe laboratorëveshkencorë për kryerjen e akt-ekspertimit, përcaktimin e shkallës së dëmit mjedisor, bën që shpesh organet e hetimit të dështojnë në sigurimin e provave shkencore, vendimtare për fatin e procesit të hetimit dhe gjykimit. Krimet mjedisore ndeshen përgjithësisht në rrethana flagrance. Ato janë nevojë për ndërhyrje urgjente, për të ndaluar pasojën e mëtejshme. Por ndërhyrja e aktorëve lokalë dhe presionet me natyrë korruptive,shpesh shkaktojnë zvarritje të reagimit dhe zbehin efektin e procedimit penal.

Mungesa e provave për krimin mjedisor, shpesh bën qëorgani i akuzës shndërrohet në një “arkivë” për kallëzimet mjedisore. Bazuar në Indikatorin e Mosfillimit të Çështjeve të hartuar nga studimi, statistikat tregojnë se, mesatarisht, mbi 70% e procedimeve penale nuk fillojnë fare, ose mbyllen rrugës, duke bërë që pushimi i çështjeve të kthehet në standard. Prokurorët, shpesh, pa trajnimin e duhur për natyrën komplekse teknike të veprave penale me karakter mjedisor, lejojnë që rastet më flagrante, sikurse është ndotja në shkallë industriale, të mbeten të pandëshkuara, ndërsa në gjyq dërgohen kryesisht vepra minore.

Të dhënat e prokurorive të Tiranës, Elbasanit dhe Korçës për vitet 2020–2024 zbulojnë një nivel të lartë pandëshkueshmërie, ku për krime serioze si ndotja e ajrit në kryeqytet, numri i çështjeve të dërguara për gjykim është thuajse inekzistent, ndërsa shumica dërrmuese pushohen për mungesë provash. Paralelisht, raporti përdor edhe Indeksin e Rrezikut Mjedisor (IRM), një instrument që i vlerëson krimet jo thjesht si numra, por bazuar në dëmin real që shkaktojnë në shëndet dhe ekosistem, duke nxjerrë në pah se pikërisht shkeljet me rrezikshmëri të lartë shpesh humbasin në filtrat e burokracisë hetimore.

Paradoksi thellohet në dyert e Gjykatave, ku drejtësia për mjedisin është e vonuar dhe pa prioritet, me çështje që zënë një volum të papërfillshëm prej 0.25% në Gjykatën e Apelit. Zvarritjet janë epidemi e kësaj hallke. Pothuajse të gjitha çështjet e regjistruara pas vitit 2019 janë në tejkalim të afateve, me pritje që shkojnë nga 3 deri në 5 vite. Një fakt tronditës që ilustron dështimin e sistemit është se, ndonëse djegia e pyjeve është një plagë kombëtare, për periudhën 2008-2025 nuk gjendet asnjë gjykim për veprën penale Shkatërrimi me zjarr i pyjeve.

Ndërkohë, edhe kur sistemi administrativ tenton të veprojë përmes gjobave, rezultatet lënë për të dëshiruar. Vetëm 11.4% e gjobave arkëtohen realisht, duke lënë miliona euro dëm financiar të parikuperuar dhe autorët të pandëshkuar. Llogaritet se mbi 10 milion Euro gjoba administrative , dhe 13 milion vlerë dëmi të shkaktuar në fondin pyjor (2014-2017),  janë të pa arkëtuara.

Për fat të keq, edhe media, e cila duhet të shërbente si rojtare e interesit publik, ka dështuar të ushtrojë presion, duke ofruar raportim sipërfaqësore. Analiza tregon se 81% e artikujve janë thjesht riprodhime të njoftimeve zyrtare pa investigim të pavarur dhe pa ndjekur ecurinë e hetimeve apo gjyqeve.

Ky raport vjen si një këmbanë alarmi për shoqërinë, ligjvënësit dhe ekzekutivin. Mjedisi nuk është dekor, por baza e jetës dhe e ekonomisë, dhe pa drejtësi mjedisore, funksionaliteti i shtetit ligjor mbetet i kompromentuar.

Shkrim nga REC Albania