Rruga që lidh 7 fshatra në lumin e Vlorës, duke nisur që nga vendi i quajtur Qafa e Varritavës e përfundon në fshatin Vërmik nuk është më e gjatë se 30 kilometra. Për ta përshkuar sot të duhen gati dy orë pasi shpejtësia mesatare e mjetit nuk i kalon 20 km/h.
Prej 35 vitesh në këtë rrugë është ndërhyrë pak, e më shumë vende nuk është ‘vënë kurrë dorë’. Degradimi me kohën e bën këtë rrugë herë-herë të pakalueshme, kur më stinën e dimrit mund të kalojnë vetëm mjetet e larta.

Gjurmon.al udhëtoi drejt fshatrave që po luftojnë për rrugën, por ishte e pamundur që me veturë të mbërrije te banorët. Këto pamje janë xhiruar në nisje të rrugës, në afërsi të fshatit Velçë, ku duket shumë qartë që segmenti është i amortizuar.
Banorët e zonës prej më shumë se një muaji kërkojnë rehabilitimin e këtij segmenti për ta lidhur me segmenti Kotë-Qeparo, rrugë e cila është investuar në vitet e fundit.
7 fshatrat që përshkohen nga ky segment janë braktisur në masë, rruga që supozohej t’i afronte me qytetin çdo vit i largonte, pasi amortizimi i rrugës shtonte distancën me zonat e tjera.

Banorët e mbetur në këtë zonë kërkojnë investime, por deri tani kanë marrë vetëm premtime nga autoritetet vendore. Kanë paralajmëruar se lufta e tyre për ndërtimin e rrugës do të vijojë, ndërsa bashkia ka pohuar se shumë shpejt do të nisin punimet në këtë segment.

