Një qytetar që banon në rrugën “Musa Bodo” në Vlorë ka denoncuar në Gjurmon.al problemin që ka me ujin që i vjen në banesë nga Ujësjellësi i Vlorës.
“Ujërat e zeza janë bërë bashkë me të bardhat. Në vjen në çezma ujë i ndotur, ky problem ka gati një muaj. Përveç se vjen i ndotur, vjen dhe shumë pak. Në javët e fundit kemi vetëm një orë ujë”, ky është mesazhi i mbërritur në redaksinë e Gjurmon.al.
Problematika e ujit prej kohësh shqetëson qytetarët e Vlorës, ku në shumë raste janë ngritur edhe në protesta, pasi për ditë me radhë nuk kanë pasur fare ujë çezmat e tyre.
Teksa temperaturat po rriten dhe termometri ka shënuar më shumë se 40 gradë në ditët e fundit, qytetarët e Vlorës përveç se detyrohen që të lahen me ujë të ndotur, sasia që u shkon në banesa është e paktë.
Gjurmon.al do ta ndjek këtë çështje në ditët në vijim dhe kërkon prej autoriteteve zgjidhjen e kësaj situate e cila është shumë shqetësuese.

