Gjiri i Filikurit vijon të rrezikojë jetën e turistëve, pasi ende nuk është marrë asnjë masë pavarësisht humbjes së jetës së një qytetareje nga Holanda. Këtë të diel, policia ka shpëtuar një turiste çeke e cila kishte mbetur e bllokuar në zonën e thepisur të gjirit pasi kishte tentuar që të zbriste me litar.
Blutë e Himarës bëjnë me dije turistja është shpëtuar pa lëndime, por kërkon që çdo vizitorë të ketë kujdes në vende të tilla.
“Komisariati i Policisë Himarë, në bashkëpunim me Policinë Kufitare Himarë, i erdhën në ndihmë një turisteje çeke, e cila kishte mbetur e bllokuar në një zonë të thepisur, në vendin e quajtur “Filikurë”. Pas marrjes së njoftimit se një turiste çeke, gjatë zbritjes me litar në terren shkëmbor, ishte rrëzuar dhe kërkonte ndihmë, shërbimet e patrullës së Rendit dhe ato të Policisë Kufitare organizuan punën dhe kaluan menjëherë në vendin e raportuar.
Pas lokalizimit të turistes, u bë e mundur zbritja e saj në mënyrë të sigurt nga shkëmbinjtë dhe transportimi me mjetin lundrues të Policisë Kufitare drejt portit të Himarës, e më pas drejt qendrës shëndetësore, për kontroll mjekësor ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Policia apelon që vizitorët dhe pushuesit, gjatë eksplorimeve në terrene të vështira, të tregojnë kujdes maksimal dhe të marrin masat e nevojshme për sigurinë e tyre”, bën me dije policia.
Gjurmon.al pak ditë më parë raportoi për këtë problematikë, ku sipas qytetarëve litari i cili përdoret prej turistëve për të zbritur në plazh është tejet i konsumuar dhe mund të këputet. Autoritetet duhet të ndërhyjnë me urgjencë, pasi çdo ditë po rrezikohet jeta e tyristëve.

