Masakër ndaj kuajve në Llogara, kërkohet hetim urgjent dhe ndëshkim për autorët

Masakër ndaj kuajve në Llogara, kërkohet hetim urgjent dhe ndëshkim për autorët

Një ngjarje e rëndë ka tronditur zonën e Malit të Llogarasë, ku sipas denoncimeve të pronarëve dhe aktivistëve mjedisorë, 22 kuaj janë qëlluar me armë gjahu. Katër prej tyre kanë humbur jetën në vend si pasojë e plagëve të marra, ndërsa pjesa tjetër është shpërndarë në pyll, disa të plagosur rëndë dhe në nevojë urgjente për ndihmë mjekësore, shkruan Animal Rescue Albania.

Pronari i kuajve dhe banorë të zonës thonë se ende nuk kanë mundur të lokalizojnë kafshët e mbetura gjallë, të cilat janë larguar të frikësuara pas të shtënave. Aktivistët e kanë cilësuar ngjarjen si një akt barbar dhe jo vetëm dhunë ndaj kafshëve, por një krim që kërkon ndëshkim shembullor.

Ata bëjnë thirrje për një hetim të plotë nga autoritetet, gjetjen dhe shpëtimin e kuajve të plagosur, si dhe vënien para drejtësisë të autorëve të kësaj masakre. Ngjarja ka shkaktuar reagime të forta në rrjetet sociale, ku qytetarë dhe organizata të mbrojtjes së kafshëve kërkojnë veprim të menjëhershëm.