Qytetarë e aktivistë protestojnë në Vlorë, kërkojnë largimin e TEC-eve lundrues

Qytetarë e aktivistë protestojnë në Vlorë, kërkojnë largimin e TEC-eve lundrues

Qytetarë dhe aktivistë nga Vlora dhe e gjithë Shqipëria protestuan këtë të mërkurë për të kërkuar largimin e dy TEC-eve lundrues që për më shumë se dy vitesh po qëndrojnë në gjirin e Vlorës.

Protesta nisi para Prefekturës së Vlorës dhe vijoi me marshim drejt vendit ku qëndrojnë TEC-et në Tirport, afër Zvërnecit.

Protesta u organizua nga Lavdosh Ferruni, një aktivist i hershëm për çështjet mjedisore, dhe u bënë thirrje për anulimin e kontratave të qirasë dhe largimin e dy anijeve që prodhojnë energji me djegie.

Sipas aktivistëve këto anije nuk po prodhojnë energji, por ndotje për mjedisin dhe po ushqehet me paratë e buxhetit të shtetit.

“Gjiri i Vlorës është i yni, TEC-et janë të maskarenjve”, ishte një nga pankartat që mbanin në duar aktivistët. Ndërsa të tjera shpalosnin kërkesën për largimin e TEC-eve lundrues.

Excelerate Energy, kompani amerikane bashkë me kompaninë italiane Renco ka marrë miliona USD dhe vazhdon merr çdo ditë 94000 USD.  Nëse nuk anulohet kontrata Vlorës do t’i shtohet dhe një varrezë hekurishtesh, pranë varrezës së TEC të Vlorës”, shkruhet në një postim në mediat sociale të organizatorëve të protestës.

Grupi i qytetarëve kërkoi takim me Prefektin, Plator Nesturi, dhe me përfaqësues të tjerë por nuk morën përgjigje.