Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur mesditën e sotme në zonën e Borshit, duke shkaktuar dy viktima dhe dy persona të plagosur. Ngjarja tragjike ka ndodhur kur një furgon doli nga rruga dhe u përplas me një mur anësor, duke marrë përmasa fatale për disa nga pasagjerët.
Nga aksidenti kanë humbur jetën bashkëshortët Kastriot Mehmeti, 60 vjeç, i njohur si tregtar peshku në zonë, dhe Donika Mehmeti (Proda), infermiere në spitalin e Sarandës. Trupat e tyre janë nxjerrë me shumë vështirësi nga automjeti i dëmtuar rëndë nga përplasja.
Në mjet ndodheshin gjithashtu Myfit Qejvanaj, drejtuesi i furgonit, i cili ka pësuar frakturë të hapur dhe ndodhet në gjendje të rëndë me hemorragji të brendshme. Pasagjeri tjetër, Petrit Kapllanaj, është jashtë rrezikut për jetën dhe po merr ndihmë mjekësore në spitalin e Sarandës.

