Biznesi në Himarë ankohet për mungesë punonjësish dhe turistësh

Biznesi në Himarë ankohet për mungesë punonjësish dhe turistësh
default

Problem i madh me punonjësit këtë vit, por as punë nuk kemi aq sa mendonim”, ky ëshë togfjalëshi që dëgjon më shpesh teksa takon pronarët e bareve dhe restoranteve në shëtitoren e Himarës.

Himara këtë sezon veror duket se nuk po sheh shkëlqimin e dikurshëm të saj, ku më vështirësi të madhe gjeje një dhomë hoteli apo AirBnB për të pushuar në fund të Korrikut apo gjatë Gushtit. Këtë verë çdo turist e ka më të lehtë për t’u akomoduar, e po ashtu mundet të zgjedh mes shumë restoranteve bareve për t’u ushqyer.

Përfaqësuesit e bizneseve i thanë Gjurmon.al se këtë vit prisnin më shumë turistë, duke parë dhe trendin e viteve të fundit që vizitorët ishin në rritje. “Vitet e fundit pamë një trend rritët së turistëve, si vendas dhe të huaj, e prisnim që edhe ky vit të ishte në ato ritme, por deri më tani jemi shumë dobët”, pohoi një pronar i një restoranti të vogël në Himarë.

Edhe me punonjësit kemi pasur probleme, kemi ende mungesa në staf por nuk po gjejmë”, vijon ai duke pohuar se pagesat ketë vit janë rritur “por kriza për punëtorë nuk paguhet me asnjë çmim” shton 35-vjeçari.

Turistë ka më pak, shërbimet nuk po përmirësohen sa duhet

Mungesa e turistëve vërehej edhe sy të lirë si në plazhe, por edhe në bare e restorante. Në çdo plazh dhe në çdo orë të ditës gjeje hapësirë si për të bërë plazh me shezlong të paguar dhe me “çadër me vete”.

Himara njihet si një qytet që ka mungesë të theksuar parkimi, por edhe vend për të lënë makinën gjeje edhe pse me pak vështirësi. Parkimi në këtë qytezë vijon të ishte disi i shtrenjtë, ku reforma për lirimin e hapësirave publike të bllokuara me trarë nuk kishte mbërritur ende.

Siç edhe e kemi raportuar më herët, edhe menaxhimi i mbetjeve nuk është në nivelet më të larta, pasi plehrat gjenden lehtësisht në çdo rrugicë. Por në krahasim me një vit më parë vërehej një përmirësim i lehtë.

Në qendër të himarës kazanët e mbetjeve pastroheshin, por në perferi problemi ishte ende prezent, ku mbeturina të shumta gjeje edhe gjatë rrugës nacionale.

Problemi i furnizimit me ujë  është zgjidhur në Himarë, pasi bizneset nuk ankohen më për mungesë të ujit. Por teksa ky problem duket se ka marrë një zgjidhje përfundimtare, energjia elektrike vijon të shqetësojë bizneset.

Pak ditë më parë në shëtitorën e Himarës u dëgjuar sërish zhurmat e gjeneratorëve, duke rikthyer frikën e dikurshme që energjia shkëputej gati çdo ditë.

Në fushatën elektorale të vitit të shkuar u dëgjua edhe premtimi për transport publik, që do të lidhte të gjithë fshatrat e bashkisë Himarë, por ende gjithçka duket se ka mbetur në letër.

Bashkia e kënaqur me numrin e turistëve

Kreu i Bashkisë, Vangjel Tavo, në një intervistë televizive deklaroi se numri i vizitorëve në muajin qershor ishte i njëjtë me atë që kjo bashki priti vitin e kaluar në muajin gusht, që është piku i sezonit. Ai theksoi se vihet re një numër shumë i lartë vizitorësh të huaj, që tejkalojnë numrin e pushuesve shqiptarë.

Kryebashkiaku theksoi se synimi është që të ketë një ofertë turistike në të 12-të muajt e vitit dhe jo vetëm gjatë sezonit veror.

Sezoni ka nisur shumë më herët, që në javën e fundit të muajit prill dhe muaji maj ka qenë thuajse me kapacitete akomoduese të rezervuara. Qershori ka qenë i njëjtë me fluksin që vjet ka pas muaji gusht, këtë e thonë operatorët turistikë dhe strukturat akomoduese. Ka qenë një nisje premtuese, ka rritje të numrit të turistëve. Numri më i madh i vizitorëve janë shtetas të huaj. Në Himarë nuk ka më nisje të sezonit, pasi nuk mund të flasim për një çelje sezoni, është thjeshtë një simbolikë tani dhe kjo na bën të jemi në një pozicion të kënaqshëm dhe të punojmë për të arritur vizionin që Himara turistike të jetë për 12 muajt e vitit. Ka resurse të pashfrytëzuara, po punojmë për infrastrukturën në mënyrë që shumë atraksione që janë të vështira për t’u vizituar të kthehen të vizitueshme që të ketë turizëm josezonal, por në 12 muaj”, tha ai.