Në një periudhë kur rreziku nga zjarret po shndërrohet në kërcënim të përvitshëm për jetën, mjedisin dhe ekonominë, veçanërisht në zonat bregdetare dhe të gjelbëruara të vendit, të dhënat e publikuara nga Instituti i Bashkive të Shqipërisë zbulojnë se qarku i Vlorës do të përfitojë vetëm një pjesë të vogël nga fondi i përgjithshëm për mbrojtjen nga zjarret për vitin 2025.
Bashkia e Vlorës, një nga më të mëdhatë dhe më të ekspozuarat në vend, do të përfitojë 63.663 milionë lekë për vitin 2025, me një rritje prej 31.09% krahasuar me vitin 2024. Pavarësisht se kjo është shuma më e lartë në nivel qarku, ajo mbetet e pamjaftueshme për të përballuar sfidat reale që paraqet sezoni i zjarreve, përfshirë nevojën për personel të trajnuar, automjete zjarrfikëse moderne dhe ndërhyrje ajrore.
Bashkia e Selenicës do të përfitojë 21.797 milionë lekë, me një rritje prej 23.03% nga viti i kaluar, ndërsa Bashkia e Himarës, e cila përfshin një territor të gjerë pyjor dhe bregdetar ku shpesh shfaqen vatra të mëdha zjarri, do të marrë vetëm 22.371 milionë lekë, me një rritje prej 22.45%.
Bashkia e Delvinës, që së fundmi është përballur me vatra të rrezikshme, do të përfitojë 19.787 milionë lekë, me një rritje prej 25.33%, ndërsa Finiqi, një tjetër bashki me karakter bujqësor dhe pyjor, do të marrë 28.694 milionë lekë, me rritje 17.83%.
Saranda, një nga qytetet më të rëndësishme turistike në jug, do të përfitojë 26.182 milionë lekë, me një rritje modeste prej 23.26%.
Krahasuar me qytete si Tirana, Korça apo Shkodra, fondet për Vlorën dhe bashkitë e saj duken të papërputhshme me nevojat reale në terren. Ndarja e fondeve sipas një formule të përgjithshme pa vlerësuar riskun real, madhësinë e territorit dhe historikun e përhapjes së zjarreve, sipas Institutit të Bashkive, përbën një nga mangësitë serioze të politikës së financimit.

*https://monitor.al/bashkite-21-mln-euro-per-mbrojtjen-nga-zjarri-ne-2025-instituti-i-bashkive-fond-i-kufizuar/?fbclid=IwY2xjawL17oRleHRuA2FlbQIxMABicmlkETFXeGRvc0RNZHhZOEpYWEw5AR6lgGK9k_UxUNAl5T0nhgGVrgiA98agm4Jhs1ZdTRySh9QFM-T7TzkY_tv87Q_aem_jxA8hSsKJR_qNcGpHSOtQg

