Nga Agron Haxhimali – Ndërhyrja e Kryeministrit në Bashkinë e Vlorës, përfshirë kërkesat për dorëheqje të drejtorëve, përbën një akt të paprecedent dhe cenon qartësisht autonominë e pushtetit vendor.
Kjo nuk është hera e parë që një kryebashkiak në Vlorë përballet me presion të tillë nga niveli qendror, çka tregon një model centralist të ushtrimit të pushtetit. Në një sistem të shëndoshë demokratik, vlerësimi i performancës së bashkive duhet të bëhet përmes mekanizmave ligjorë dhe jo me ndërhyrje direkte politike.
Çfarë ndodhi në atë takim?
Vizita e Kryeministrit në Bashkinë e Vlorës ishte e papritur dhe shoqërohej me kritika të forta publike ndaj performancës së administratës vendore. Fokus i kritikave ishin çështje si furnizimi me ujë, menaxhimi i emergjencave civile (zjarret), dhe pastërtia publike. Takimi kaloi nga një mbledhje pune në një akt të fortë politik e publik, ku u dha sinjali për “ndryshime të menjëhershme”.
Kush i kërkoi dorëheqjen drejtorëve?
Edhe pse zyrtarisht thuhet se drejtuesit kanë dhënë dorëheqje “me dëshirë”, në praktikë sinjali ka ardhur nga Kryeministri. Nuk ka pasur një vendim formal të Këshillit Bashkiak apo të Kryetarit të Bashkisë për largimin e tyre, çka e bën aktin më shumë rezultat i presionit politik sesa i një procedure institucionale. Ky është një precedent shqetësues për autonominë e pushtetit vendor.
A duhej në këtë formë?
Nuk duhej. Pavarësisht shqetësimeve reale për performancën, mënyra dhe forma ishte jashtë çdo standardi të qeverisjes së mirë. Kjo është një formë ndërhyrjeje direkte në punët administrative të një bashkie, që në Kushtetutë dhe në ligjin 139/2015 për vetëqeverisjen vendore konsiderohet kompetencë ekskluzive e pushtetit vendor. Kryeministri ka të drejtë të reagojë politikisht, por jo të drejtojë, as të shkarkojë apo të emërojë në nivel vendor.
Rama me kryebashkiakët e Vlorës?
Historia e tensionuar mes Kryeministrit dhe kryebashkiakëve të Vlorës është tashmë e përsëritur: Shpëtim Gjika u përjashtua nga lista e kandidatëve dhe pati akuza penale. Dritan Leli pati përplasje publike me Ramën për mungesën e bindjes politike, çka çoi në izolim politik dhe largim nga PS. Ermal Dredha, megjithëse një emër i propozuar nga vetë Rama, duket se po përballet me të njëjtin cikël zhgënjimi dhe presioni. Ky model sugjeron se problematika lidhet më shumë me pritshmëritë e centralizuara të Ramës për mënyrën se si një kryebashkiak duhet të funksionojë, sesa me performancën reale të tyre.
Pse është e pazakontë kjo formë?
Sepse cenon ndarjen e pushteteve dhe autonominë vendore — dy parime themelore të funksionimit të demokracisë lokale. Ndërhyrjet direkte të Kryeministrit në administrimin e një bashkie janë të pazakonta në vende me qeverisje demokratike dhe shkelin frymën e decentralizimit. Për më tepër, krijon një klimë frike dhe paqartësie për administratën vendore, e cila tashmë ka vështirësi për të vepruar në mënyrë të pavarur.
Mesazh për publikun dhe për PS-në: Ky ishte një veprim simbolik për të treguar “autoritetin” dhe kontrollin absolut mbi territorin, sidomos në një qytet si Vlora, por jo vetëm me rëndësi elektorale, ekonomike dhe politike. Një sinjal paralajmërues për të gjithë kryebashkiakët: performanca matet jo vetëm me rezultate, por edhe me bindje dhe përputhje me vullnetin e liderit dhe politikes qendrore.
*Drejtor Ekzekutiv i Institutit për Bashkitë Shqiptare

